Gjatë diskutimeve në Komisionin e Ekonomisë dhe Financave për buxhetin faktik të vitit, deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, akuzoi qeverinë për mungesë transparence dhe planifikimi në menaxhimin e financave publike.
Ajo theksoi se, sipas raportit të Kontrollit të Lartë të Shtetit (KLSH), qeveria miraton një buxhet në fillim të vitit, por e ndryshon disa herë përmes akteve normative, duke humbur lidhjen me planifikimin fillestar.
Tabaku vuri në dukje se rreth 20% e shpenzimeve kapitale realizohen vetëm në fund të vitit, gjë që sipas saj tregon mungesë eficience nga Ministria e Financave.
Ajo shtoi se edhe procesi i rindërtimit është zhvilluar kryesisht pa fonde të buxhetuara, duke e cilësuar këtë si shembull të mungesës së disiplinës fiskale.
“Ky është një buxhet që ndryshon nga janari në dhjetor dhe nuk reflekton prioritete ekonomike, por vendime politike,” deklaroi Tabaku, duke kërkuar zbatimin e rekomandimeve të KLSH-së dhe rikthimin e programimit afatmesëm buxhetor.









