Tre shqiptarë të identifikuar si: Engjell Osmanaj, 29 vjeç, Anjelos Selamaj, 22 vjeç dhe Alban Topi, 29 vjeç, janë dënuar me 76 muaj burg gjithsej pasi u shpallën fajtor për prodhim kanabisi.
Ata ishin arrestuar gjatë janarit të këtij viti në Angli për aktivitetin e tyre të paligjshëm, atë të kultivimit të kanabisit në një “shtëpi-bari”, e cila ishte e vendosur në qytetin Bodmin, në disa ambiente mbi një ish-bankë, ku u gjetën bimët narkotike që arrinin vlerën e mbi gjysmë milioni paund.
Shqiptarët u paraqitën në Gjykatën e Truro Crown për tu njohur me dënimin ku u deklaruan fajtorë për prodhimin e kanabisit. Në gjykatë u tha se tre shqiptarët vepronin në bashkëpunim me njeri-tjetrin për shkak të frikës se çfarë do të ndodhte me familjet. Alban Topi madje u konsiderua si viktimë e skllavërisë moderne.
‘Shtëpia e barit’ u zbulua në janar të këtij viti. Ndërsa policia mbërriti në zonë, u has në dyer të përforcuara që ishin të mbyllura nga brenda. Kur arritën të hynin brenda, të pandehurit u gjetën të fshehur dhe duke u përpjekur të arratiseshin.
Ndërtesa konsiderohej si një rrezik për shëndetin dhe sigurinë, ndërsa oficerët gjetën telefonat dhe çelësat e makinës së njërit prej të arrestuarve, Engjell Osmanaj. Në makinë, u gjetën sende të lidhura me rritjen e bimëve.
Brenda pronës, policia gjeti një fermë të madhe kanabisi me potencial për të prodhuar kanabis në një shkallë industrial, ndërsa u gjetën më shumë se 850 bimë me vlerë 731,000 paund.
Tre të rinjtë janë shprehur se punonin për të mbajtur me para familjarët e tyre, në kushte të vështira ekonomike në Shqipëri. Topi dhe Selemaj ishin kopshtarë, ndërsa Osmanaj kishte një rol më të avancuar. Osmanaj u burgos për 40 muaj, Selamaj 20 muaj dhe Topi 16 muaj.