Ministri i Mbrojtjes i Serbisë, Millosh Vuçeviç, është shprehur se pas vendimit të Albin Kurtit për çështjen e targave, ushtria e Serbisë është në gatishmëri..
Ai tha se urdhër për këtë ka dhënë presidenti i këtij vendi, Aleksandar Vuçiç.
Plani i Targave
Ky plan pritet të zbatohet në tri faza. E para përfshin qortimin e shoferëve që vozisin makina me targa të paligjshme; e dyta parasheh gjobë deri në 150 euro për ata shoferë, dhe e treta targa provuese.
Zbatimi i këtij plani pritet të përfundojë më 21 prill dhe, nga ajo datë, në qarkullim do të lejohen vetëm makina me targa RKS, apo Republika e Kosovës.
Serbia, e cila ushtron kontroll mbi serbët në veri të Kosovës, insiston në targa neutrale ndaj statusit të Kosovës.
Vuçeviç tha për Televizionin “Happy” në Serbi se Vuçiç, si komandant i përgjithshëm, ka urdhëruar ushtrinë serbe që ta ngrejë nivelin e gatishmërisë luftarake në atë pikë që të mund t’i përgjigjet çdo detyre.
“Serbia është një vend serioz. Ajo merr përgjegjësi për të gjitha problemet e mundshme”, tha Vuçeviç.
Ai shtoi se, mëngjesin e së martës, është bërë qortimi i parë për targat.
“Kur Serbia flet për paqe dhe stabilitet, nuk do të thotë se ne jemi të dobët, se mund të na maltretojnë dhe poshtërojnë. Ajo që duhet ta dijë populli, është se ushtria serbe është shumë herë më e fortë seç ka qenë, meriton respekt… Ne duhet të punojmë për më shumë staf, për armatim më të madh, për trajnim të forcave rezervë. Ne nuk po përgatitemi për luftë, por nuk mund të jemi plotësisht të papërgatitur për gjithçka që ndodh”, tha Vuçeviç. .
Targat që i lëshojnë autoritetet serbe, konsiderohen të paligjshme në Kosovë, por ato janë toleruar në veri të Kosovës që nga paslufta, më 1999. /REL