Shumë përdorues të Instagram raportuan dje gjatë ditës se nuk mund të hynin në profilet e tyre në atë rrjet social. Drejtuesit e rrjetit social të njohur shkuan në Twitter dhe njoftuan se e kishin zgjidhur problemin.
“Ne kemi zgjidhur një gabim që shkaktoi probleme me aksesin në llogaritë në mbarë botën. Gabimi gjithashtu shkaktoi një ndryshim të përkohshëm në numrin e ndjekësve. Kërkojmë falje,“- thanë ata.
Edhe pse ata i informuan përdoruesit se gabimi ishte rregulluar, Instagram nuk tha se çfarë e shkaktoi gabimin. Problemet nisën pas orës 14:00, kur Down Detector regjistroi një numër të madh raportesh përplasjesh në Instagram. Disa kanë raportuar se postimet e tyre janë fshirë dhe madje u janë pezulluar llogaritë.
“Ne e pezulluam llogarinë tuaj të përdoruesit më 31 tetor 2022. Keni ende 30 ditë për të apeluar këtë vendim,”-është një shembull i mesazhit që morën disa përdorues.