Sipas sondazheve, ish-kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu është në rrugë drejt fitores së zgjedhjeve parlamentare, që janë mbajtur më 1 nëntor në Izrael. Rezultatet e sondazheve kanë treguar se blloku i tij i krahut të djathtë ka fituar një shumicë të thjeshtë në Parlament, në krahasim me rivalët e tij.
Një rezultat i tillë do të përbënte kthim dramatik të Netanyahut, i cili është rrëzuar vitin e kaluar nga pushteti, pas 12 vjetëve të udhëheqësisë.
“Jemi afër fitores së madhe”, u ka thënë ai mbështetësve në Jerusalem.
Zgjedhjet e kësaj here janë konsideruar si votime për apo kundër kthimit të Netanyahut.Rezultatet zyrtare, që mund të prodhojnë rezultat tjetër, pritet të bëhen publike në orët në vijim.
Netanyahu, 73-vjeçar, është një prej figurave politike më kontroverse në Izrael, i cili kritikohet nga politikanët e qendrës, mirëpo ka një bazë të madhe të mbështetësve besnikë në partinë e tij Likud.
Ai është përkrahës i madh i projektit të ndërtimit të vendbanimeve izraelite në Bregun Perëndimor, të pushtuar në luftën e vitit 1967.
Vendbanimet në atë pjesë konsideron ilegale, sipas ligjit ndërkombëtar, ndonëse Izraeli nuk e pranon këtë qëndrim.
Netanyahu kundërshton krijimin e një shteti palestinez në Bregun Perëndimor dhe Rripin e Gazës, si zgjidhje për konfliktin izraelito-palestinez, formulë e mbështetur nga komuniteti ndërkombëtar, përfshirë administratën e presidentit amerikan, Joe Biden.
Aktualisht Netanyahu është duke u gjykuar nën akuzat për ryshfet e mashtrime, të cilat vetë ai i hedh poshtë.Partnerët e tij të mundshëm në koalicionin qeverisës kanë thënë se do të reformojnë sistemin e drejtësisë, hap që do të mund t’iu jepte fund procedurave gjyqësore kundër tij./REL