Mbrëmë pas mesnate është djegur një makinë në Zubin Potok. Lajmin e ka bërë të ditur Policia e Kosovës përmes një komunikate për media.
“Policia e Kosovës, me datën 02.11.2022, në orën 03.34 (pas mesnate) përmes linjës telefonike ka pranuar një informacion për djegien, vënien e zjarrit ndaj një veture të tipit Hyndai me targa RKS, pronë e viktimës mashkull kosovar i komunitetit serb, nga komuna e Zubin Potokut”.
Më tej, nga policia është thënë se kanë ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme policore si dhe kanë njoftuar ekipin e zjarrfikësve, të cilët kanë dalë po ashtu në vendin e ngjarjes.
“Policia e Kosovës mbetet e përkushtuar në realizimin e detyrave dhe përgjegjësive të saja ligjore, në hetimin dhe zbardhjen sa më parë të këtij rasti dhe të rasteve të tjera të zjarrvënieve, të ndodhura dhe të orientuara ndaj pronave private, kryesisht ndaj veturave të regjistruara me targa lokale RKS”.
Gjithashtu, është bërë thirrje që të gjithë qytetarët pa dallime që të bashkëpunojnë me Policinë e Kosovës.