Kryetari i Listës Serbe, Goran Rakiq, tha se të shtunën, më 5 nëntor, do të propozojë largimin e serbëve nga institucionet në veri, përfshirë ato gjyqësore, të policisë dhe në institucione të tjera.
Ai po ashtu tha se serbët duhet të “forcojnë dhe ndërtojnë” institucionet e veta në veri, në bashkëpunim me Serbinë.
Rakiq tha se ka thirrur një mbledhje të jashtëzakonshme të Listës Serbe me kryetarët e katër komunave në veri të Kosovës.
Kjo mbledhje, tha se do të mbahet pas “vendimit të paligjshëm dhe anti-serb” të Kosovës, për suspendimin nga puna të drejtorit të Policisë së Kosovës në Mitrovicë të Veriut, Nenad Gjuriq.
Gjuriq u suspendua nga puna më 3 nëntor, një ditë pasi deklaroi se policët në veri nuk do të shpërndajnë letra qortuese për qytetarët që kanë makina me targa të lëshuara nga Serbia, të cilat Kosova i konsideron ilegale.
“Të gjithë ne kemi hyrë në institucionet e Kosovës sepse kjo ka qenë pjesë e Marrëveshjes së Brukselit, dhe duke pasur parasysh se Prishtina nuk i respekton marrëveshjet e nënshkruara, është e qartë se nuk kemi çfarë të kërkojmë në ato institucione sepse është e qartë se Prishtina shkel secilën prej tyre”, tha Rakiq përmes një deklarate për media.
Sipas Rakiqit, institucionet në Prishtinë nuk kanë pasur të drejtë ta suspendojnë Gjuriqin nga puna, pasi tha se ai është zgjedhur nga serbët dhe katër kryetarët e komunave në veri, që banohen me shumicë serbe.
Policia e Kosovës tha se ka suspenduar Gjurqin për “mosrealizimit të autorizimeve ligjore dhe zbatimit të vendimeve zyrtare”./REL