-sidi education-spot_img
5.5 C
Tirana
-sidi education-spot_img

Shaban Murati: Ata që kthejnë dhimbjen e popullit në dollarë

Kryesoret

Në 30 tetor 2022 mbaroi mandati presidencial i presidentit 89 vjecar të Libanit, Mishel Aun. Një personazh, që ka qenë edhe më parë kryeministër dhe president atij shteti tragjik, të sakatosur nga luftrat e brendëshme, dhe presidenti, që sapo iku tani, është një nga protagonistët e asaj katrahure libaneze.

Ngaqë popujt kujtesëshkurtër dashurohen me shtypësit e tyre, në 2016 në moshën 83 vjeçare ai u rizgjodh prapë president i Libanit dhe e la tani postin në moshën 89 vjeçare.

Emri i presidentit libanez lidhet edhe me një element biografik timin, sepse për shkak të tij kam marrë paralajmërimin e parë për pushim nga puna, sepse artikulli im për sunduesit, që kthejnë dhimbjen e popullit në dollarë, botuar në “Zërin e Popullit” në 20 janar 1990, i kishte djegur shumë dikujt me shumë peshë në udhëheqjen e partisë.

Kryeredaktori nuk e kishte parë atë ditë faqen e katërt të çeshtjeve ndërkombëtare dhe përgjegjësi i faqes isha unë. Ndaj po e sjell për miqtë dhe lexuesit e mi shkrimin me titull:

– ATA QË KTHEJNË DHIMBJEN E POPULLIT NË DOLLARË

Pamjet tragjike të përnatshme, që vijnë në ekranet televizive nga Bejruti, shkaktojnë dhimbje dhe trishtim tek miliona e miliona spektatorë, që i përcjellin njëkohësisht në katër anët e globit. Revolucioni në fushën e informacionit bën që pamjet e ditës të kthehen, në të njëjtën kohë në një dhimbje masive tek njerëzit e thjeshtë. Ky është transformimi i parë.

Por ka edhe një transformim tjetër, që nuk e nxjerrin ekranet dhe ndodh prapa kuintave të pushtetit. Është transformimi i dhimbjes së popullit në dollarë. Natyrisht nuk kthehen në Bejrut, ku ndodh tragjedia, sepse atje baronët e luftës nuk janë të sigurt. Ato kthehen në bankat perëndimore në formën e depozitave private të siguruara.

E përjavshmja franceze <<Canard Enchaine>>, njoftonte se gjenerali libanez Mishel Aun, komandant i forcave kristiane libaneze, ka një depozitë personale mbi 15 milionë dollarë në Bankën Kombëtare të Francës. Paga e tij zyrtare si ushtarak, është mjaft larg, si shumë dhe si kohë, që të krijojë një depozitë kaq të madhe personale, e cila vetëm nga përqindjet sjell 100 mijë dollarë çdo muaj.

Ekspertë të Lindjes së Mesme thonë se gjenerali, i cili ka lidhje të ngushta dhe i shërben Izraelit, ka depozita edhe në disa banka të vendeve të tjera. Këto para, si gjithë paratë që vilen nga punë jo të ndershme, janë grumbulluar duke shfrytëzuar postin dhe pushtetin, duke akaparuar nga fondet e caktuara për ushtrinë dhe nga taksat e kontributet e tjera të popullsisë, duke bërë spekullime me ndihmat, që dërgohen në Liban për arsye humanitare e për rimëkëmbjen e ekonomisë, me trafikun e armëve dhe mënyra të tjera të ngjashme.

Mishel Auni kërkon t’i veshë kësaj depozite private një motiv <<zyrtar>>: ato i duhen partisë së tij për të vazhduar luftën në Liban. Specialistët deklarojnë se ky është një pretendim qesharak, sepse me këtë shumë mund të blihen vetëm tre tanke të tipit <<AMX 30>>, pa municion.

Nga ana tjetër shtypi francez e rrëzoi pretendimin <<zyrtar>> të Aunit me faktin tepër domëthënës që të drejtën për t’i tërhequr paratë e depozituara e ka edhe e shoqja e gjeneralit, mjaft që të paraqitet në sportelet e Bankës Kombëtare të Francës. Pra motivi <<zyrtar>> avullon dhe paratë dalin si pronë e familjes Auni.

Ç’janë këto para? Ato janë shpërblimi, që i jepet Mishel Aunit, si një nga protagonistët e tragjedisë libaneze, për të vazhduar luftimet, për të mbajtur gjallë vëllavrasjen, për të vrarë libanezë e për të mbjellë terror. Atij i intereson të vazhdojnë gjaku dhe lotët në Bejrut, sepse shtojnë depozitat e familjes së tij në bankat e huaja në dollarë. Kuptohet, i interesojnë dhe atyre që e financojnë dhe e mbajnë Aunin, si Izraeli, që kanë përfitime të mëdha nga vazhdimi i luftimeve në Liban.

Përballë realitetit të depozitave personale në miliona dollarë në bankat e huaja, humbet si vesa në diell retorika e baronëve të luftës se <<mendojnë për popullin>>. Në fakt, ata mendojnë për lëkurën e tyre, ndaj vrapojnë të fshehin depozitat në bankat e huaja.

Është një traditë e provuar e diktatorëve, mafiozëve, mercenarëve dhe trafikantëve të ndryshëm, që paratë e grabitura popullit t’i transferojnë në shtetet e tjera. E bëjnë këtë, sepse e dijnë që në tokën e tyre janë zotër të përkohshëm, mbi të cilët, sot a nesër, do të bjerë urrejtja e popullit. Kështu ndodhi me Reza Pahlevin, Markosin, Dyvaljenë dhe diktatorë të tjerë, të mëdhenj e të vegjël, të ditëve tona.

Nga rregulli nuk mund të bëjë përjashtim as Mishel Auni dhe baronë të tjerë të luftës, të cilët shtojnë depozitat bankare, duke shtuar dhimbjen e popullit.
Me paratë e grabitura popullit, ose të fituara nga gjaku i tij, diktatorët e mëdhenj apo të vegjël, mendojnë të krijojnë një oaz qetësie në vendet e tjera, në kohrat e stuhirave të parashikuara në vendet e tyre.

Por, edhe ata që i janë shmangur stuhive, nuk kanë shpëtuar nga urrejtja e popullit. As nga turpi, i cili merr dhe ka formën e këtyre depozitave bankare, të krijuara me dhimbjen dhe lotët e popullit.

Botuar 20.1.1990
(Libri “Hije në diplomacinë shqiptare”, 2012, fq.44)

/5pyetjet.al

spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
- Advertisement -spot_img

Më tepër

- Advertisement -spot_img

Lajmet e fundit