Pas deklaratave të Ramës se Britania e Madhe po i përdor shqiptarët si “kokë turku”, për emigracionin e paligjshëm, qeveria e Britanisë së madhe po përpiqet të riparojë marrëdhëniet e krisura.
Ministri i klimës në Britaninë e Madhe dhe zëdhënësja zyrtare e Kryeministrit Britanik, kanë shprehur mirënjohjen e qeverisë për Shqipërinë duke theksuar se janë të përkushtuar për të punuar së bashku.
“Unë jam mirënjohës për punën që po bëjmë me shqiptarët. Ata kanë dërguar oficerë të lartë policie për të përshpejtuar përpunimin dhe ne kemi një sistem të përshpejtuar për t’i kthyer shqiptarët nëse rezultojnë azilkërkuesit jo legjitimë.
“Pra, ne po përpiqemi të punojmë në bashkëpunim. Por është e qartë se ka presion… mund të çojë në një gjuhë, e cila ndonjëherë është për të ardhur keq dhe ia vlen të shënojmë mirënjohjen tonë ndaj qeverisë shqiptare për bashkëpunimin e tyre në punën për ta zgjidhur këtë. “- tha ai për Sky news.
Një reagim për deklaratat e kryeministrit të vendit tonë ka pasur edhe zëdhënësja zyrtare e Kryeministrit Britanik.
Zëdhënësja u shpreh se marrëdhëniet e Britanisë së Madhe dhe Shqipërisë janë të forta dhe se mbeten të përkushtuar për të punuar së bashku.
“Ne kemi një marrëdhënie të fortë me partnerët tanë shqiptarë. Jemi mirënjohës për bashkëpunimin e qeverisë shqiptare dhe mbetemi plotësisht të përkushtuar për të punuar së bashku me ta“.- tha ajo.