Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, paraqiti sot në Komisionin Kuvendor të Ekonomisë opinionin e Bankës së Shqipërisë mbi projektbuxhetin e vitit 2023.
Sejko tha se Banka e Shqipërisë vlerëson pozitivisht angazhimin për konsolidim fiskal, i shprehur në reduktimin e deficitit buxhetor, nga niveli 3.3% i PBB-së i pritur për vitin 2022 në 2.6% të PBB-së për vitin 2023, si edhe përmirësimin e balancës primare, nga një deficit prej 1.3% i PBB-së i pritur për vitin 2022 në një suficit prej 0.2% të PBB-së për vitin 2023.
Banka e Shqipërisë gjykon se konsolidimi fiskal dhe normalizimi i qëndrimit të politikës monetare përbën kombinimin më të mirë të mundshëm të politikave ekonomike për të mundësuar uljen e inflacionit dhe kthimin e tij në objektiv brenda gjysmës së parë të vitit 2024.
Banka e Shqipërisë shprehu gjithashtu mbështetjen për një proces konsolidimi të udhëhequr nga rritja e të ardhurave buxhetore. Sipas Sejkos, reduktimi i vazhdueshëm të informalitetit dhe reduktimi i përjashtimeve tatimore, nxit konkurrencën dhe eficiencën në ekonomi.
Po ashtu, ai ruan hapësirat për shpenzime publike, aq të nevojshme për një vend në zhvillim dhe proces konvergjence me standardet e Bashkimit Europian si Shqipëria.
Por, në të njëjtën kohë, Banka e Shqipërisë mbështet një rritje të kontrolluar të shpenzimeve korrente në afatin e shkurtër, për të adresuar goditjen që inflacioni sjell mbi shtresat më të varfra të shoqërisë.
Megjithatë, Banka e Shqipërisë vlerëson se Buxheti është i ekspozuar ndaj rreziqeve të konsiderueshme për një deficit më të madh se parashikimet.
Për të adresuar këto rreziqe, Banka e Shqipërisë sugjeron shtimin e fondeve të kontingjencës në buxhet, duke synuar rritjen e eficiencës operacionale dhe zbatimin prioritar të planit të shpenzimeve. Monitor