Pas vendimit të serbëve për të dalë nga qeveria dhe institucionet e Republikës së Kosovës, eprorët që punojnë në Policinë e Kosovës e që kanë qenë të pranishëm në këtë takim kanë zhveshur menjëherë uniformat e tyre.
Lista Serbe vendosi sot që pjesëtarët e saj të largohen nga institucionet e Kosovës. Ky vendim është marrë pas një takimi të zhvilluar në mesditën e së shtunës në Zveçan. Lista Serbe është partia më e madhe e serbëve në Kosovë.
Njoftimi i saj ka ardhur pas vendimit të autoriteteve të Kosovës për pezullimin e drejtorit të Policisë së Kosovës për rajonin e veriut, i cili ka refuzuar që të zbatojë vendimin e Qeverisë së Kosovës për riregjistrimin e makinave që kanë targa të lëshuara nga Serbia në RKS – Republika e Kosovës.
“Ne kemi vendosur të largohemi nga të gjitha institucionet politike, Kuvendi, Qeveria, dhe nga katër komunat në veri të Kosovës, por edhe që të largohen serbët nga gjyqësori, policia si dhe stafi administrativ në katër komunat në veri”, ka thënë kryetari i Listës Serbe, Goran Rakiq pas takimit.
Serbët ikën nga qeveria, plani i Vuçiçit dhe çfarë ndodh tani në Kosovë?