Kosova i ka ndaluar hyrjen ish-ministrit të Punëve të Jashtme të Serbisë, Vuk Jeremiçit. Ministrja e Jashtme Donika Gërvalla ka treguar arsyet e vendimit.
Ajo tha se Rusia dhe Serbia nuk do të ndalen së krijuari gjithnjë e më shumë tensione në Ballkan.
“Mbështetja e Jeremiçit në parlamentin serb për atë që e kanë quajtur “riintegrim“ i Kosovës së pavarur në Serbi është i ngjashëm me planin e Putinit për “riintegrimin“ e Ukrainës – pra një recetë për luftë.
Kosova nuk do të tolerojë urrejtjen dhe agresionin ndaj një shteti evropian dhe demokratik. Evropa dhe SHBA-të duhet të vëzhgojnë me vëmendje veprimet e klasës politike në Serbi dhe në rajon.
Radikalizimi i ish-drejtuesit të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së është vetëm një paralajmërim më shumë se oreksi i Serbisë dhe Rusisë për territore nuk është ngopur ende.
Kosova është dhe do të mbetet e pavarur dhe sovrane, përkrahëse e fortë e perspektivës evropiane dhe NATO-s dhe në kufi me Serbinë.
Kosova dhe fqinjët e tjerë të Serbisë, të cilët ende nuk janë anëtarësuar në BE, as nuk janë sferë e ndikimit të Serbisë, dhe as nuk do të “riintegrohen“ ndonjëherë në „Botën Serbe“ të Vuçiçit dhe Putinit” tha ajo.