Një ngjarje e rëndë ka ndodhur në Nea Peramos, ku trupi i një biznesmeni 27-vjeçar u gjet pranë Manastirit të Trinisë së Shenjtë.
Viktima ishte rrëmbyer jashtë banesës së tij në Elefsina në orët e para të së hënës dhe ishte ekzekutuar me shtatë plumba. Autorët e krimit dyshohet se tentuan të fshehin gjurmët duke u përpjekur t’i vënë flakën trupit, por pa sukses.
Pamjet nga kamerat e sigurisë tregojnë momentin kur biznesmeni rrëmbehet nga një makinë blu me katër persona.
Automjeti ishte raportuar i vjedhur në Selanik. Policia po heton për motivet e vrasjes dhe dyshon se ka lidhje me mosmarrëveshje financiare. Hetuesit po shqyrtojnë gjithashtu ngjashmërinë me një vrasje tjetër të ndodhur në vitin 2024.
Ende nuk është konfirmuar nëse rrëmbimi ishte për kërkesa shpërblimi, pasi familja e viktimës nuk ka marrë kërkesa për para. Hetimet vazhdojnë për zbardhjen e plotë të krimit.









