Lista Serbe – partia më e madhe e serbëve në Kosovë – ka vendosur të shtunën që të largohet nga institucionet qendrore të Republikës së Kosovës, si dhe nga komunat në veri të vendit.
Pas vendimit – të marrë në një takim me dyer të mbyllura në Zveçan – dorëheqje kanë dhënë edhe pjesëtarët serbë të Policisë së Kosovës, ata të gjyqësorit dhe prokurorisë në veri.
Njoftimi i Listës Serbe ka ardhur pas vendimit të autoriteteve të Kosovës për suspendimin e drejtorit të Policisë së Kosovës për rajonin e veriut, Nenad Gjuriq, i cili ka refuzuar që të zbatojë vendimin e Qeverisë së Kosovës për riregjistrimin e makinave që kanë targa të lëshuara nga Serbia në RKS – Republika e Kosovës.
“Ne kemi vendosur të largohemi nga të gjitha institucionet politike, Kuvendi, Qeveria, dhe nga katër komunat në veri të Kosovës, por edhe që të largohen serbët nga gjyqësori, policia si dhe stafi administrativ në katër komunat në veri”, ka thënë kryetari i Listës Serbe, Goran Rakiq pas takimit.
Vetë Rakiq ka deklaruar se ka dhënë dorëheqje nga “pozita e ministrit në Qeverinë e Kosovës”.
Edhe deputeti në Kuvendin e Kosovës, Igor Simiq, ka thënë se dorëzon dorëheqjen në emër të 10 deputetëve në këtë institucion.
Komunat në veri, të banuara me shumicë serbe janë: Mitrovica e Veriut, Leposaviqi, Zubin Potoku dhe Zveçani.
Rakiq ka thënë se vendimet për largim nga institucionet do të zbatohen deri në momentin kur “Prishtina fillon të respektojë të drejtën publike ndërkombëtare dhe marrëveshjet e arritura në Bruksel”.
“Kjo do të thotë, konkretisht, derisa të tërheqin vendimet e njëanshme dhe të kundërligjshme për riregjistrim, derisa të formojnë Asociacionin e komunave serbe, në përputhje me marrëveshjen e parë dhe të gjitha marrëveshjet e tjera të lidhura me këtë çështje në dialog”.
Kosova dhe Serbia kanë arritur marrëveshje për Asociacionin më 2013 dhe më pas më 2015 mbi parimet për themelimin e tij.
Po më 2015, Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka gjetur se marrëveshja nuk është në harmoni të plotë me Kushtetutën.
Serbia kërkon që Kosova të zbatojë marrëveshjet e arritura, por Qeveria e Kosovës është deklaruar kundër një asociacioni njëetnik.
Zhvillimet në Serbi
Ndërkohë Qeveria e Serbisë ka zhvilluar një mbledhje të shtunën për të diskutuar, siç është thënë, rreth situatës në Kosovë.
Në këtë mbledhje ka qenë prezent edhe presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, i cili ka thënë pas takimit se, Serbia nuk do të heqë dorë nga “politika e përgjegjshme e paqes dhe stabilitetit”.
Ai i ka bërë këto deklarata në një postim në Instagram, duke shprehur mirënjohjen e tij për mundësinë që i është dhënë për të informuar Qeverinë për “situatën në të cilën është Serbia”.
Edhe pas takimit me ambasadoren kineze në Beograd, Chen Bo, Vuçiq ka përsëritur se “Serbia vazhdon të zbatojë politikën e paqes dhe stabilitetit” dhe se “vazhdon të jetë e përkushtuar në respektim të ligjit ndërkombëtar”.
Serbia llogarit në Kinën kur është fjala për statusin e Kosovës, e cila ka shpallur pavarësinë më 2008.
As Serbia, as Kina nuk e njohin shtetësinë e Kosovës.
Përmes mbështetjes së Rusisë dhe Kinës, zyrtarët serbë tentojnë të bllokojnë anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare.
Vuçiq pritet të takohet më vonë gjatë ditës edhe me ambasadorin rus në Beograd, Bocan Harchenko dhe me përfaqësuesit më të lartë të Kishës Ortodokse Serbe.
Në ditë më parë, Vuçiq është takuar edhe me të dërguarin e Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë – Serbi, Mirosllav Lajçak.
Vetë Lajçak ka thënë më 5 nëntor se takimi ka qenë i gjatë dhe i vështirë, por i drejtë.
Sipas tij, palët janë pajtuar që të gjitha marrëveshjet e arritura në Bruksel duhet të zbatohen.
“Llogaris në sjelljen e përgjegjshme të të gjithëve, për të treguar përmbajtje për siguri dhe stabilitet. Dhuna duhet të shmanget”, ka thënë Lajçak përmes një postimi në Twitter.
Plani për targat
Qeveria e Kosovës ka nisur nga 1 nëntori që të zbatojë planin e saj – në tri faza – për riregjistrimin e makinave me targa të lëshuara nga Serbia.
Vendimi kryesisht ka të bëjë për targat KM (Mitrovica e Kosovës) të cilat janë të paligjshme në Kosovë, por që deri më tani janë toleruar vetëm në komunat në katër komunat në veri, të banuara me shumicë serbe: Mitrovicë e Veriut, Leposaviq, Zubin Potok dhe Zveçan.
Megjithatë, pjesëtarët e Policisë së Kosovës nga radhët e komunitetit serb, që janë pjesë e rajonit të veriut, kanë deklaruar se nuk do ta respektojnë vendimin.
Një ditë pas një deklarimi të tillë të Nenad Gjuriqit, ai është suspenduar nga detyra.
“Ne nuk mund ta zbatojmë atë vendim, sepse ai është politik dhe i drejtuar kryesisht kundër komunitetit serb, të cilit i përkasim edhe ne vetë”, ka thënë Gjuriq.
Çfarë kanë deklaruar përfaqësuesit e Listës Serbe?
Më 3 nëntor, kryetari i Listës Serbe, Goran Rakiq, – i cili është edhe ministër për Komunitete dhe Kthim në Qeverinë e Kosovës – paralajmëroi largimin nga institucionet e Kosovës.
“Duke filluar nga unë personalisht, por edhe punëtorët në vetëqeverisjen lokale, prokurori, gjykata polici dhe në të gjitha institucionet e tjera”.
Ai shtoi se serbët duhet të “forcojnë dhe ndërtojnë” institucionet e veta në veri, në bashkëpunim me Serbinë.
Më 2 nëntor, Igor Simiq nga Lista Serbe deklaroi se pjesëtarët e komunitetit serb nuk dëshirojnë të riregjistrojnë makinat në RKS dhe përsëriti se shqiptimi i gjobës së parë do të pasohet “me përgjigje dhe rezistencë të fortë, me të gjitha mjetet demokratike”.
Igor Simiq është deputet i Listës Serbe në Kuvendin e Kosovës.
Asnjë zyrtar i Qeverisë së Kosovës nuk u është përgjigjur pyetjeve të Radios Evropa e Lirë për të komentuar thirrjet e Listës Serbe për rezistencë dhe për të mbështetur policët që të mos zbatojnë planin për riregjistrim.
Megjithatë, ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka shkruar në Facebook se refuzimi për të zbatuar vendimin legjitim të institucioneve të Kosovës paraqet një cenim të rëndë të sigurisë dhe stabilitetit të Kosovës.
“Policia e Kosovës është një dhe të gjithë pjesëtarët e saj duhet të kenë të njëjtin mision: sundimin e ligjit dhe krijimin e ambientit të sigurt për të gjithë qytetarët pa dallim. Nuk do të lejojmë asnjë veprim që cenon këtë mision dhe bashkë me Policinë e Kosovës do të vazhdojmë zbatimin e tij”, shkroi Sveçla në Facebook pas suspendimit të Gjuriqit.
Më 1 nëntor, në një intervistë për Radion Evropa e Lirë zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, tha se përmes deklaratave, Lista Serbe po tregon se në radhë të parë nuk ka pasur problem me targat.
“Deklaratat e Listës Serbe tregojnë se qytetarët nuk po mund të marrin vendime, por dikush tjetër po merr vendime për ta dhe po i detyron ata që ende të mbeten në sferën ilegale. Fakti që duhet të ketë këso kërcënimesh, tregon se qytetarët janë të interesuar të integrohen, janë të interesuar që t’i përdorin apo shfrytëzojnë incentivat [lehtësimet] tatimore dhe doganore që i ka ofruar Qeveria e Kosovës, por një forcë më e madhe po i saboton dhe po i pengon ata në këtë drejtim”, tha ai.
Çfarë parasheh vendimi i Qeverisë së Kosovës për targat?
Përderisa Serbia dhe përfaqësuesit serbë po e kundërshtojnë planin e Qeverisë së Kosovës dhe kanë bërë thirrje për rezistencë, në Kosovë kanë thënë se vendimet e saj për targat janë legjitime.
Më 28 tetor, Qeveria e Kosovës shpalosi planin për riregjistrimin e makinave me targa serbe në ato RKS (Republika e Kosovës) është i ndarë në tri faza. Në fazën e parë do të qortohen shoferët që kanë makina me targa serbe, në të dytën do të paguajnë gjobë prej 150 eurosh, ndërkaq faza e tretë parasheh përdorimin e targave provuese.
Qeveria ka thënë se pas 21 prillit të vitit 2023, në Kosovë do të mund të përdoren vetëm targat RKS.
Ky vendim i Kosovës vjen pavarësisht thirrjeve të Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Evropian që Prishtina të shtyjë për 10 muaj procesin e riregjistrimit. Si SHBA-ja, ashtu edhe BE-ja kanë shprehur “zhgënjim” me mosshtyrjen e afatit për targat.
Qeveria e Kosovës ka argumentuar se kishte bërë një shtyrje të zbatimit të vendimit të targave, që fillimisht ishte paraparë të hynte në fuqi më 1 gusht dhe ishte shtyrë për periudhën 1 shtator-31 tetor.
Incidente në veri për shkak të targave
Në javët e fundit në veri të Kosovës janë regjistruar katër raste të djegies së makinave të pronarëve serbë, të cilët i kishin regjistruar ato në targa RKS.
Autoritetet në Kosovë kanë thënë se këto raste paraqesin “frikësim” për qytetarët që duan t’i riregjistrojnë makinat e tyre.
Më 3 nëntor, Policia e Kosovës raportoi për të shtëna me armë zjarri në stacionin policor kufitar në Zubin Potok – komunë e banuar me shumicë serbe.
Pas një takimi me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, më 3 nëntor, Borrell përmes një postimi në Twitter kërkoi nga të gjitha palët që të përmbahen dhe të respektojnë të gjitha marrëveshjet e arritura në kuadër të dialogut të Brukselit.
Zyrtarët në Serbi, e as zyrtarët serbë në Kosovë nuk kanë komentuar për djegien e makinave dhe dëmtimin e pronës së serbëve që po riregjistrojnë makinat e tyre.
Po ashtu, ditëve të fundit, Serbia ka rritur gatishmërinë luftarake të ushtrisë së saj, teksa ka pretenduar se dronë nga Kosova kanë “vëzhguar” objektet ushtarake të Serbisë. Kosova ka mohuar se fluturake nga territori i saj kanë hyrë në Serbi.
Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, ndërkaq ka deklaruar se vëzhgimi i ndërtesave ushtarake me dronë është “një lloj agresioni”.
Çfarë parasheh Marrëveshja për targat e arritur në Bruksel?
Në kuadër të dialogut për normalizimin e raporteve, më 2011 Kosova dhe Serbia arritën Marrëveshjen për lirinë e lëvizjes.
Sipas kësaj marrëveshjeje, makinat me targa serbe me akronime për qytetet e Kosovës si PR (Prishtinë), GL (Gjilan), KM (Mitrovica e Kosovës) e të ngjashme, duhej të riregjistroheshin në RKS (Republika e Kosovës) apo në targat me status neutral KS (Kosovë).
Pavarësisht kësaj marrëveshjeje, në katër komunat në veri të Kosovës, qytetarët serbë kanë qarkulluar me targa të lëshuara nga Ministria e Brendshme e Serbisë.
Atëbotë qytetarët e Kosovës nuk mund të hynin në territorin e Serbisë me targa RKS, por duhej të pajiseshin me targa provuese, andaj Kosova u pajtua që të lëshonte targa KS edhe për pesë vjet të tjera, marrëveshje të cilën Serbia e pranoi.
Marrëveshja për lirinë e lëvizjes e vitit 2011 u finalizua në Bruksel më 14 shtator të vitit 2016.
Vlefshmëria e këtyre targave me status neutral skadoi më 15 shtator të vitit 2021.
Zyrtarët serbë së fundmi sërish kanë kërkuar që targat KS të rikthehen në përdorim, por kjo kërkesë është refuzuar nga autoritetet në Kosovë. REL