E pyetur se cilat do të jenë tre vendimet e para të saj nëse votuesit e zgjedhin atë në krye të Bashkisë së Tiranës, Kalaja u shpreh se, së pari do të propozojë projektligjin për futjen e referendumit në pushtetin lokal, ku qytetarët të zgjedhin vetë financimet e tyre.
Së dyti sipas Kalasë, shembja me tritol e gjithë ndërtimeve e kullave pa leje, të kujtdo qofshin ato. Po ashtu edhe të atyre ndërtimeve që janë bërë mbi një vepër të trashëgimisë kulturore.
Së treti, Kalaja u shpreh se do të anulojë të gjitha projektet korruptive të qeverisë.
‘Vendimi i parë do të jetë projektimi ose propozimi i një projektligji për futjen e referendumit në pushtetin lokal. Ky është një model shumë i përhapur në Zvicër. Çdo rrugicë, çdo lagje do të vendosë vetë për një financim në interes publik.
Vendimi i dytë, shumë e kanë keqkuptuar dhe keqinterpretuar, do marr vendimin për të shembur me tritol çdo kullë, të çdokujt prej këtyre biznesmenëve. Kjo është e bazuar në ligj. Pse? Një ndërtim që është bërë mbi një vepër të dëshmisë, trashëgimisë kulturore, duhet shembur. Sigurisht që nuk po them se do t’i biem me top, shiko kullë e shkatërroje. Jo. Do shikohen dokumentet, rregullsia e tyre.
Vendimi i tretë është që do anuloj gjithë projektet korruptive, projekti i unazës së madhe. Nuk do të zhbëhet Unaza e Re, por problemi është se në atë zonë janë shumë familje që nuk janë dëmshpërblyer. Pra, do të dëmshpërblehen të gjithë njerëzit, familjet që preken nga ndërtimet e projekteve të mëdha.’, u shpreh Kalaja.