Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres, mendon se njerëzimi e ka shtruar autostradën drejt ferrit me çështjet e klimës dhe lufta e menjëhershme duhet fituar, ose përndryshe s’ka kthim pas.
Gjatë fjalës së tij në ditën e parë të samitit të klimës COP27, i cili po zhvillohet në Cairo të Egjiptit, Guterres e vuri theksin tek emetimet në rritje të gazrave serrë dhe tek rritja e madhe e temperaturës në vitet e fundit, në të gjithë globin.
“Planeti ynë, qartësisht po i afrohet një pike të pakthyeshme kaosi dhe ne jemi ata, të cilët duhet ta shmangim atë. Jemi në një autostradë të shtruar drejt ferrit klimatik, me një këmbë në pedalin e gazit ende”.
Përpos kësaj, ai komentoi edhe mbi katastrofat klimatike në rritje, për të cilat tha se efektet nuk mund të fshihen më “poshtë jorgani” dhe nuk mund të lihen pas dore.
Mirëpo, të vetmen mënyrë për të ndrequr situatën, e sheh duke ndërhyrë në tablonë e madhe, atë të uljes së emetimeve dhe rrjedhimisht edhe stabilizimit të temperaturave në gjithë globin.
Vendet në zhvillim, ashtu si superfuqitë botërore, duhet të japin kontributin e tyre po ashtu, duke mos i neglizhuar këshillat.
“Le t’i çojmë paratë tona për nga njerëzit, të cilët vuajnë me çmimet e larta të ushqimeve dhe energjisë, ashtu si edhe për vendet që i vuajnë më së shumti pasojat e katastrofave klimatike”, përmbylli shefi i OKB-së fjalën e tij në samit.