Nuk ka të ndalur rritja e çmimeve. INSTAT publikoi sot inflacionin për muajin tetor, që arriti në 8.3%, niveli më i lartë që nga viti 1998, kur vendi po e merrte veten nga kriza që shkaktoi në ekonomi rënia e piramidave. Ndryshimi mujor i indeksit të çmimeve të konsumit në muajin Tetor 2022, krahasuar me Shtator 2022 është 0,4 %. Ushqimet dhe karburanti janë produktet që janë bërë më të shtrenjta për familjet shqiptare.
Sipas INSTAT, Rritja vjetore e çmimeve në muajin Tetor është ndikuar kryesisht nga grupi “Ushqime dhe pije joalkoolike” me +5,09 pikë përqindje, pasuar nga grupi “Transporti” me +1,00 pikë përqindje. Çmimet e grupit “Qira, ujë, lëndë djegëse dhe energji” me +0,70 pikë përqindje. Çmimet e grupit “Mobilje, pajisje shtëpie dhe mirëmbajtje e shtëpisë” me +0,48 pikë përqindje.
Çmimet e grupit “Pije alkoolike dhe duhan” me +0,28 pikë përqindje. Çmimet e grupit “Hotele, kafene dhe restorante” kanë kontribuar me +0,27 pikë përqindje. Çmimet e grupit “Mallra dhe shërbime të ndryshme” me +0,19 pikë përqindje.
Çmimet e grupit “Veshje dhe këpucë” me +0,12 pikë përqindje. Çmimet e grupit “Argëtim dhe kulturë” +0,06 pikë përqindje. Çmimet e grupeve “Shëndeti” dhe “Shërbimi arsimor” me +0,05 pikë përqindje secili. Çmimet e grupit “Komunikimi” me +0,02 pikë përqindje. Më shumë se gjysma e rritjes së çmimeve në vend vjen për shkak të shtrenjtimit të produkteve që Shqipëria merr nga importi.