-sidi education-spot_img
18.5 C
Tirana
-sidi education-spot_img

Ambasadori i SHBA-ve: Kosova të shtyjë me 10 muaj regjistrimin e targave

Kryesoret

Ambasadori i SHBA-ve në Kosovë, Jeffrey Hovenier, i bëri thirrje Qeverisë së Kosovës që të nisë urgjentisht negociatat për formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

“Duhet të ketë një propozim për Asociacionin në tryezë”, tha Hovenier në një takim me gazetarët në Prishtinë.

Ai, po ashtu, i bëri thirrje Qeverisë së Kosovës që të shtyjë për dhjetë muaj zbatimin e planit për riregjistrimin e makinave me targa të paligjshme serbe.

Për më tepër, ai tha se Qeveria e Kosovës nuk duhet të nisë me gjobitjen e shoferëve që vozisin makina me targa të tilla.

Ky plan nisi të zbatohet më 1 nëntor, me gjithë insistimin e mëhershëm të komunitetit ndërkombëtar që të shtyhet.

Janë rreth 9.000 makina me targa të paligjshme që qarkullojnë në veriun e Kosovës – të banuar me shumicë serbe – që nga paslufta, më 1999.

Qeveria e Kosovës kërkon që ato të zëvendësohen me targa RKS, apo Republika e Kosovës.

Shumica e serbëve në veri, të mbështetur nga Beogradi zyrtar, i kundërshtojnë ato, duke insistuar në targa neutrale ndaj statusit të Kosovës.

Në shenjë kundërshtimi ndaj zbatimit të planit për riregjistrim, serbët e veriut kanë dhënë dorëheqje nga institucionet e Kosovës.

Ata kanë thënë se nuk do të rikthehen, nëse Qeveria e Kosovës nuk e themelon Asociacionin e komunave me shumicë serbe dhe nuk e tërheq vendimin për riregjistrimin e makinave.

“Të gjithë jemi të shqetësuar për situatën në veri”, sepse ajo ka “potencial për të eskaluar”, tha ambasadori Hovenier.

Ai, gjithashtu, tha se Qeveria e Kosovës duhet të bisedojë me komunitetin serb, duke shfaqur shpresën se përfaqësuesit e tij do të kthehen në institucionet e Kosovës.

“Shpresojmë që kjo gjë të jetë e përkohshme”, tha Hovenier duke komentuar dorëheqjet e serbëve./REL

/5pyetjet.al

spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
- Advertisement -spot_img

Më tepër

- Advertisement -spot_img

Lajmet e fundit