Kryetari i PDIU-së, Shpëtim Idrizi nga foltorja e Kuvendit i kërkoi sot qeverisë që të ndërtojë një model ekonomik dhe ta orientojë biznesin te industria ushqimore dhe agro-përpunuese. Ai shpjegoi situatën ekonomike me një krahasim të thjeshtë.
Idrizi u shpreh se 1.3 mln shqiptarë jashtë kufijve sjellin cdo vit thuajse 800 mln euro remitanca. Kjo shumë, tha më tej ai, është e njëjtë me atë që importojmë, prej të cilave 100 mln euro shkojnë vetëm për zarzavate. Prandaj drejtuesi i PDIU-së kërkoi që fokusi nga ndërtimi duhet të orientohet te industria ushqimore dhe agro-përpunuese.
“Familjet shqiptare harxhojë 70% të pagesës për ushqimet, kjo krizë godet fort në cdo familje. Kam dëgjuar shumë shpesh lufta në Ukrainë. Padyshim nxori në pah rritjen e çmimeve edhe për arsye të rritjes së masës monetare në tregjet ndërkombëtare. Por efektet e kësaj krize u ndjenë në ekonominë shqiptare pasi është e varur nga importi.
Kjo krizë tregoi se nuk kemi një model ekonomik te drejtuar drejt prodhimit vendas. Prandaj jemi në një moment që të kuptojmë që kriza është njëkohësisht edhe një opurnitet i madh për ekonominë tonë. Shumë qeveri po e ndryshojnë strukturën e ekonomisë. Ne nuk kemi një model zhvillimi.
Duhet ta bëjmë sot. Ne na duhet një model i bazuar në prodhimin vendas. Po e nxis debatin duke marrë një tregues. Ne sot kemi 1.3 mln shqiptarë në emigracion, që sjellin 800 mln euro remitanca. E dini ju që volumi i ushqimeve që importojmë është po 800 mln euro, 100 milionë janë zarzavate. Do të thotë se eksportojmë motrat e vëllezërit tanë, ata na sjellin 800 mln euro dhe ne i kthejmë mbrapsht duke blerë ushqime.
Po ju bëj një pyetje, pse sot të gjitha kapitalet janë drejt ndërtimit? Sepse sot është shumë e lehtë të marrësh një leje ndërtimi. Prandaj them se qeveria duhet të ndërhyjë fort, që t’i drejtojë bizneset nga industria ushqimore dhe agro-përpunuese. Të ndërtojmë fabrika, linja prodhimi në industrinë ushqimore” tha ai.