Në të gjithë Iranin, demonstruesit po bëjnë thirrje për t’i dhënë fund Republikës Islamike. Pas gati dy muajsh protesta, iranianët po vazhdojnë të shfaqin entusiazëm dhe guxim. Kjo valë proteste duket ndryshe nga lëvizjet e mëparshme që u shtypën nga forcat e sigurisë. Siç njofton korrespondenti i Zërit të Amerikës, Arash Arabasadi, autoritetet kësaj radhe kanë edhe një problem tjetër: ata e kanë të vështirë të identifikojnë një udhëheqës opozite për ta burgosur, në një lëvizje që nuk ka drejtues të përcaktuar.
Pas gati dy muajsh protestash në rrugë kundër udhëheqjes së vendit, iranianët thonë se forcat e sigurisë tani po përdorin gaz lotsjellës në shtëpitë e njerëzve dhe po përdorin armët kundër tyre.
Për shkaqe sigurie, Zëri i Amerikës ka vendosur të mos zbulojë detaje nga kjo video dhe videot e tjera nga Irani që tani janë publikuar në rrjetet sociale.
Gjithçka filloi në shtator, kur “policia e moralit” arrestoi 22-vjeçaren Mahsa Amini, për atë që ata e përshkruan si “veshje jo e përshtatshme”. Tre ditë më vonë, Amini vdiq në spital ndërsa ishte në paraburgim.
Zyrtarët iranianë thonë se ajo vdiq për shkak të një goditjeje në zemër, por babai i saj, Amjad Amini, i tha Zërit të Amerikës se ata gënjyen. Ai thotë se ajo nuk kishte probleme shëndetësore para se të arrestohej.
Ky rast bëri që fytyra e Aminit të kthehet në simbol të një lëvizjeje globale për të drejtat e njeriut.
Vdekja e saj u bë arsyeja pse iranianët dolën në rrugë, duke brohoritur, “Vdekje Khameneit”, duke iu referuar udhëheqësit suprem të vendit./VOA









