-sidi education-spot_img
22.5 C
Tirana
-sidi education-spot_img

Rama sharje dhe ofendime, Tabaku skanon buxhetin: Borxhe, varfëri dhe koncesione

Kryesoret

Në kuvendin e Shqipërisë sot po diskutohet projektligji për buxhetin e vitit 2023. Kryeministri Edi Rama në fjalën e tij në seancë foli shumë pak minuta për buxhetin dhe më shumë u përqendrua te opozita duke e sharë dhe ofenduar me një gjuhë të fortë. Kreut të qeverisë iu përgjigj deputetja Jorida Tabaku, por jo me të njëjtën gjuhë. Ajo skanoi buxhetin e vitit që vjen duke akuzuar qeverinë se do u rrisë shqiptarëve taksat për t’i çuar te PPP-të dhe jo për rritje të pagave dhe pensioneve.

Tabaku: Borxhi i fshehur eshte 1 mld euro
Për vite me radhë, në çdo buxhet faktik apo projektbuxhet në qendër të kërkesave të mia, së paku që nga viti 2017, ka qenë tema e “Borxhit të Fshehur”.
Kjo mazhorancë që megjithëse u zotua që do të ulte borxhin publik në 60% të PBB-së dhe që siç tregojnë po shifrat e tyre ka shkuar në 70% të PBB-së ka rritur gjithashtu edhe borxhin e fshehur që në fakt aty mes shifrave dhe vetë e pranojnë e gjurmët i ka të dukshme për sytë e çdokujt.

Në nenin 7 të projektbuxhetit 2023 secili nga ju mund të lexojë qartësisht të zezë mbi të bardhë se qeveria shqiptare zotohet që të kalojë nga fondi i rindërtimit prej 5 mld lekësh për të paguar kontrata të firmosura por që në fakt nuk janë buxhetuar.

Një vit më parë, nga kjo foltore kam pasur një debat të fortë me qeverinë pikërisht për këtë temë. Qeveria, e njëjta pak a shumë, zotohej që ka ikur koha e borxhit të fshehur ndërkohë që të dhënat dëshmojnë të kundërtën e asaj që goja e qeverisë propagandonte.

Dhe meqenëse neni në fjalë në projektbuxhetin 2023 flet pikërisht për çështjen e rindërtimit dhe vlerën prej 5 mld lekësh që i kalohet nga fondi i rindërtimit për të paguar punë të kryera dhe të papaguara po e nis me projektin e rindërtimit. Që në të vërtetë është një recetë suksesi për një korrupsion specialistësh.

Nga viti 2019 e këndej në porotofolin e qeverisë u shtua një ministri e re e cila do të drejtonte procesin e rindërtimit për fatkeqësinë që ra në vendin tonë pas tërmetit 2019.
Për fatin e keq, ministria e rindërtimit ishte as më shumë e as më pak se një tjetër tërmet i natyrës ekonomike në buxhetin e shtetit dhe mbi të gjitha në transparencën për publikun.

Sot e kësaj dite, megjithëse ministria nuk ekziston më, ne nuk kemi asnjë transparencë për fondet e rindërtimit se si janë tërhequr, ku është aplikuar për këto projekte dhe mbi të gjitha nuk kemi asnjë raport se si është punuar për këtë proces.

I trumbetuar nga të gjithë, përfshirë edhe superministrin e asaj kohe, se procesi i rindërtimit do të përfundonte në vitin 2022 ende ky proces ka mbetur rrugëve.

I vetmi raport serioz mbi këtë proces që kam lexuar është ai i OSBE-ODIHR që e përcaktonte procesin e rindërtimit dhe pagesat nga buxheti i shtetit gjatë fushatës 2021 si abuziv dhe në kundërshti me ligjin elektoral.

Të përfitosh nga fatkeqësia, të bësh shoë me fatkeqësinë, të bësh spektakël me jetët e njerëzve live në TV se po afrohen zgjedhjet, se kam parë në asnjë vend tjetër që ka kaluar fatkeqësi.

Fatura e rindërtimit sipas asaj çfarë shqiptarët mësuan publikisht ishte mbi 1 mld euro që në fakt u përkthyen në mbi 300 mln euro grante që u manaxhuan eksluzivisht nga Bashkimi Europian dhe me të cilat u ndërtuan shkolla dhe kopshte ndërkohë që pjesa e mbetur mbi 700 mln euro ishin dedikuar për kredi të butë.

Mirëpo qeveria e cila ka për detyrë të pasqyrojë ecurinë e projekteve të saj si në grante dhe në kredi ka vendosur të mbajë në errësirë këdo që kërkon informacion. Në regjistrin e kredive rezulton që qeveria shqiptare nuk ka marrë asnjë kredi të butë të siguruar nga konferenca e famshme prej 1 mld eurosh në lidhje me rindërtimin.
Sakaq, kontratat e zbuluara nga KLSH tregojnë se qeveria shqiptare ka firmosur kontrata për punë për të cilat nuk ka pasur asnjë fond në buxhetin e shtetit.

Për rrjedhojë jo vetëm që qeveria shqiptare nuk ka marrë asnjë nga kreditë e buta me vlerë 700 mln euro por ka shtuar gjithashtu edhe një faturë ekstra me vlerë 300 mln euro që mbahet nga buxheti i shtetit ndërkohë që vlera reale e borxheve dhe detyrimeve vetëm nga rindërtimit nuk bëhet publik, e mbi të gjitha qershia mbi tortë “raportet nuk publikohen qeveria ende nuk e ka përfunduar këtë proces”. Dhe sot që diskutojmë projektbuxhetin 2023 ku shqiptarët po presin të kuptojnë se si qeveria do të angazhohet t’i mbrojë ato nga varfërimi, rritja e infacionit, rritja e kësteve të kredisë, rritja e çmimeve të produkteve të tavolinës, ata duhet të mësojnë se 400 mln euro janë detyrime të prapambetura pikërisht nga procesi i rindërtimit.

Ndërsa mijëra familje shqiptarësh të mbetur të pastrehë nga një fatkeqësi natyrore që presin ende nga qeveria për të ndërmarrë hapat që të aplikojë për kreditë e buta sot mësojnë se qeveria ka fryrë një faturë dhe ka krijuar detyrime të prapambetura dhe që do të thotë se për to procesi i rindërtimit është kthyer në një pazar.

E nuk mbetet me kaq, përtej rindërtimit është detyrimi nga gjyqet e arbitrazhit që sipas raportit të KLSH kap shifrën e mbi 388 mln eurove dhe jo aq sa pretendon ky projektbuxhet. Shihini shifrat dhe tabelën e detyrimeve që do të duhet të paguajmë në një formë apo në një mënyrë tjetër sikundër po ndodh sot me çështjen Beketi. Dhe kjo shifër e cituar prej meje është një vlerë në të cilën janë përfshirë gjyqet e nisura që nga viti 2015 e këndej dhe në proces janë dhe 5 gjyqe të tjera që sipas të njëjtit burim kanë një vlerë ekstra prej mbi 227 mln euro.

Vlera e 388 mln eurove është tanimë një detyrim që buxheti i shtetit do të duhet ta paguajë, një shifër që në fakt dëshmon mënyrën abuzive dhe të pandershme se si kjo qeveri ka manaxhuar arkën e përbashkët të shqiptarëve.

Kësaj shume nëse i shtohen rreth 20 mln euro detyrime nga GjEDNJ dhe më tej rreth 160 mln euro që njihen nga vetë qeveria si detyrime atëherë shuma totale e borxhit të fshehur dhe detyrime të prapambetura është thuajse 1 mld euro. Një kosto që çdo shqiptar do të duhet ta paguajë njësoj siç paguan sot e kësaj dite kostot e rritura të projekteve të PPP-ve në buxhetin e shtetit si fjala vjen Rruga e Arbrit që nisi me 250 mln euro dhe po përfundon me 500 mln euro

Apo siç përfundon inceneratori i Tiranës që në vitin 2019 ishte parashikuar që në vitin 2021 do paguhej 76 mln euro ndërsa faktikisht është paguar 102 mln euro sipas të dhënave të tabelës së buxhetit të shtetit. Pra projekte që rriten vit për vit duke dëshmuar realisht se për çfarë është përdorur borxhi të cilin qeveria e ka marrë dhe që sot do të duhet çdo shqiptar të paguajë më shtrenjtë duke hequr dorë nga ushqimi në tavolinën e tij për të paguar këstet e larta.

Tabaku: Nuk rriten pensionet, nuk rriten pagat. Prandaj Rama iku sepse ska përgjigje

Për fatin e keq teoria e qeverisë mbetet po njësoj;
kur vjen puna për t’u marrë para qytetarëve, për t’u ofruar atyre më shumë shtrëngesa dhe pagesa ekstra mazhoranca vjen në parlament dhe i fton qytetarët të sakrifikojnë për “Nënën Shqipëri”. Kur vjen puna për t’u ofruar shqiptarëve rritje reale pagash, rritje reale pensionesh, një fond decent të Kujdesit Social kjo mazhorancë vjen në këtë kuvend dhe i flet shqiptarëve për “Njerkën Shqipëri” që nuk ka mundësi t’u japë atyre.

Në vitin 2021 kjo mazhorancë nuk i fitoi zgjedhjet elektorale me një program elektoral. Nuk kishte nevojë për program duke qenë se kishte mjete të tjera që i ushtroi në përpikmëri, nga patronazhistët që ndiqnin dhe spiunonin jetët e çdo shqiptari deri tek procesi i rindërtimit të cilin e përdori për të mikluar, paguar dhe detyruar njerëzit të votonin.

Gjithsesi, për të larë gojën në verën e vitit 2021 shkruajtën disa fjalë në një program qeverisës ku ndër të tjera premtuan rritje pagash, rritje pensionesh, ulje të borxhit publik (edhe kësaj radhe).

Tani, siç edhe FMN e parashikon norma e inflacionit për këtë vit do jetë mbi 6% nëse do jemi me fat. Për vitin e ardhshëm norma do të jetë 4.3% prandaj rritja e pagave dhe pensioneve do të duhet të shihet nën këtë prizëm të ri, pra duke pasur parasysh normën e inflacionit dhe mbi të gjitha kohën kur do të ndodhë.

Në programin e qeverisë 2021 angazhimi ishte që pagat e arsimtarëve dhe mjekëve do t’i rriste me 40% gradualisht gjatë mandatit. Pra, duhej që qeveria t’i rrisë pagat me 10% në vit duke qenë kjo vlerë e çliruar nga norma e inflacionit. Deri më tani ky premtim është tërësisht i pambajtur

Pjesa tjetër e administratës ishte parashikuar që të merrte një rritje page rreth 30% brenda mandatit, mirëpo vitin e shkuar kjo mazhorancë nuk i ofroi asgjë kësaj administrate ndërsa këtë vit i ofroi një rritje page që nëse e vendosim në peshore me normën e inflacionit në të vërtetë nuk është as indeksim. Praktikisht administrata është më e varfër se sa një vit më parë ndërsa qeveria më gënjeshtare se sa një vit më parë.

Jo vetëm kaq por sivjet ka premtuar një rritje qesharake pensione të cilin në fakt nuk e përcakton se kur do të nisë. Këtë vit qeveria premtoi rritjen e pensionit me 1.2 mld lekë ndërkohë që një vit më parë po kjo mazhorancë premtoi rritjen e pensionit me 3.3 mld lekë.

Nëse vjet rritjen e kishte 5% në të cilin përfshihej indeksim plus bonus pensioni, pra qartësisht mungonte rritja e premtuar prej 5% në vit si një rritje reale. Tani kryeministri deklaron se do kenë dyfishim të buxhetit të 2013, pyetja është sa do jetë rritja në vitin 2013? A do t’i rrisë qeveria realisht pensionet me 5% siç ka premtuar dhe kjo do të thotë që ajo duhet t’i rrisë në më shumë se 9% duke qenë se inflacioni i pritshëm do jetë 4.3%?!

Nëse të gjithë sot kanë vëmendjen nga qeveria dhe nga projektbuxheti që prezanton kjo ka një arsye të thjeshtë. Çdo shqiptar që ulet sot në tavolinën e ngrënies e ka të qartë që po paguan gjithnjë e më shtrenjtë për çdo produkt ushqimor që merr për shtëpinë ndërkohë që blen gjithnjë e më pak apo po njësoj.

Kjo krizë e thellë çmimesh që është transmetuar në vend në një pjesë të konsiderueshme edhe nga inflacioni në Bashkimin Europian, le ta njohim e ta pranojmë fatkeqësisht kemi një ekonomi të ekspozuar por që ndryshe nga vendet e tjera nuk është subvencionuar apo mbështetur përmes lehtësirave fiskale apo formave të tjera të mbështetjes buxhetore.

Tabaku: Nuk eshte nje buxhet qe sheh hallet e tavolines se bukes dhe rritjes se cmimeve.

Akoma më keq, presioni i rritjes së çmimeve është lënë tërësisht të bie mbi xhepin e qytetarëve që nga muaji në muaj duhet të luten që qeveria të shtyejë me nga një muaj dhe shtrenjtimin e energjisë elektrike edhe pse sot çmimi i energjisë në bursat e Hungarisë është më i lirë se sa një vit më parë.

Edhe pse qeveria për energjinë elektrike ka vendosur në dispozicion sipas saj 100 mln euro për vitin 2022 sërishmi shqiptarët shohin me sytë nga ekrani me shpresën që qeveria përmes Noterit ERE të shtyejë vendimin për fashat dhe për rritjen e energjisë.Mishi sot është thuajse 15% më shtrenjtë se sa një vit më parë, produktet e bulmetit dhe qumshtit janë shtrenjtuar në thuajse 25% në raport me një vit më parë. Ndërsa vezët dhe yndyra në thuajse 30%.

Pra peshën kryesore të rritjes së çmimeve e ka shporta e produkteve të ushqimeve dhe pijeve joalkoolike, pra çdo produkt që shqiptarët blejnë përditë në marketet e lagjeve për të konsumuar në tavolinën e tyre.

Shumica e familjeve të shtresës së mesme në vend ka nisur të ndjejnë peshën e tepërt të kësteve të kredisë ndërkohë që shtrenjtimi i jetesës do të thotë që ato duhet të fusin gjithnjë e më shumë dorën në arkën e tyre të kursimeve për të mbajtur ritmin e çmendur të çmimeve që rriten.

Tabaku: Taksohen 95% dhe fitojne oligarket e 5%. Sistemi fiskal eshte i pandershem

Tragjedia reale e Shqipërisë sot është se ka ndërtuar një sistem të pandershëm ekonomik jo të bazuar mbi meritokracinë por mbi kleptokracinë. Një sistem ekonomik ku taksat dhe tatimet janë ndërtuar asisoj që shtresa e mesme të paguajë barrën kryesore të të ardhurave dhe ku biznesi të shtyhet të përdorë të gjitha mënyrat dhe format për t’i ikur taksimit të pandershëm socialist.

Me një normë taksimi që rritet dhe në krizë. Një taksim që godet shtresën e mesme për t’ia dhënë oligarkëve. Një sistem taksimi që godet shqiptarët që punojnë dhe mbeten po aq të varfër për t’i ofruar gjithnjë e më shumë lehtësi klasës së oligarkëve që gjithnjë e më shumë miklon buxhetin në kurriz të shqiptarëve.

Edhe për këtë vit historia e trishtë përsëritet ndërsa taksat do të rriten me 130 mln euro duke i rënduar po xhepave të shqiptarëve ndërsa shpenimet për PPP-të dhe koncesionet kanë shkuar në 120 mln euro që do të paguhen po në 2023.

E njëjta filozofi edhe sot pas 10 viteve në pushtet. Godit punën, godit dijen, godit investimin e çdokujt për të qenë një profesionist i zoti. Godit aftësinë e qytetarëve për të qenë të pavarur nga paratë e qeverisë pasi kështu mund të mbahet me tubin e oksigjenit biznesi i oligarkëve që u janë falur portet, aeroportet, fshatrat turistikë, termocentrale, rrugë, manaxhim mbetjesh dhe jo vetëm.

Me pak fjalën Taksimi Progresiv sot ka vdekur sepse specialistët kanë ndërtuar një Sistem Special ku taksohen 95% e shqiptarëve ndërsa tenderohen 5% e tyre.

Ky nuk është qartësisht as një buxhet dhe as një paketë fiskale për familjet shqiptare, për bizneset e familjeve shqiptare.

Bujqit po trajtohen ca te nenes dhe ca te njerkes Shqiperi

Në fillim të këtij viti, qeveria mori dy masa në dëm të bujqësisë. E para, norma e kompensimit të prodhuesit bujqësor nga 6% u bë 0%.
E dyta vendosja TVSH-së 10% të furnizimit të inputeve bujqësore, siç janë plehrat kimike, pesticidet, farat dhe fidanët, nga zero për qind që ishin deri në fund të vitit 2021.
Kur shumëkush priste të ndryshohej kjo, ndodh pikërisht ajo që nuk mendohej. Qeveria vazhdon të gabojë me vetëdije. Bujqësia, ende aty në paradhomën e qeverisë në karrigen e fundit për t’u dëgjuar.

Nuk është aspak një buxhet dhe një paketë fiskale e fermerëve të cilët sot përballen me rritjen e kostove për çdo input bujqësor.

Nuk është një buxhet që buxheton naftën në total për fermerët por vazhdon ende të buxhetohet një shumë e vogël për naftën dhe më pas kjo shumë u ndahet disa fermerëve që kuptohet i janë falur përpara deputetit socialist.

Vetëm duke lexuar raportin e 8-mujtorit shihet se nga thuajse 50 mijë aplikime janë pranuar 33 mijë të tilla ndërkohë që pjesa tjetër nuk ka marrë asnjë mbështetje për të marrë subvencionin e naftës.

Nuk ka para për shqiptarët, kemi krizë, nëna Shqipëri shndërrohet në Njerkën Shqipëri.

Edhe këtë e dëgjoj thuajse kudo ku takoj fermerë, si fjala vjen kur isha në qytetin e Korçës ku munda të takohem me disa nga fermerët e asaj zone dëgjoja se si vetë ata shpreheshin të shqetësuar jo vetëm për rritjen e çmimit të inputeve bujqësore apo për probleme të tjera të një natyre më strukturore si fragmntarzimi i tokës.

Por ajo që dëgjova ishte mungesa e mbështetjes financiare për ato bujq që punojnë tokën dhe që kur molla e tyre prishet në fqinjinin lindor u paguhet 8 cent/kg ndërsa në Shqipëri jo. Asnjë ndihmë në buxhet nuk pashë për faktorët madhorë që dëmtojnë bujqësinë dhe asnjë incentivë ekstra që bujqësia të jetë faktor kyç në rritjen ekonomike.

Sa shpresë mund të kemi që kjo do të realizohet kur të dhënat e 8 mujorit të këtij viti flasin për një rritje të importeve të zarzavateve pikërisht se toka e punuar sot është gjithnjë e më e pakët. Pasi vetë fermerët e pranojnë që bujqësia sot po varfërohet ndërsa toka mbetet djerrë sepse njerëzit kanë vendosur të mos shpenzojnë më kohën e tyre për një sektor që është lënë në harresë.

Në një harresë që bëhet gjithnjë e më e madhe sa herë që qeveria rreh gjoksin se ka rritur fondet për bujqësinë. Sa herë që qeveria rreh gjoksin se po bën për bujqësinë më shumë se sa është kryer në këto 30 vite dhe paraqet në sfilatën e shifrave të dhëna që as vetë nuk i besojnë kur shohin me sy realitetin e vendit.

Bujqësia shqiptare ka mbështetjen më të ulët buxhetore në krahasim me vendet e tjera të Rajonit, ndaj prodhimet shqiptare po bëhen gjithnjë e më pak konkuruese.

Tabaku: Laragimi i shqiptareve vula e deshtimit te kesaj mazhorance

Nuk kam dashur ta përdor sepse hemoragjia që po i ndodh vendit tonë në të vërtetë është çertifikata reale e 3 mandateve të mazhorancës. Vula e dështimit përtej çdo fasade dhe marketingu ekstrem që nuk gënjen më askënd, as ato që e ideojnë dhe vendosin në jetë.

Ky është në fakt vlerësimi më korrekt përtej çdo raporti nga partnerët tanë strategjikë, vlerësimi më real. Vlerësimi më i ndershëm.

Përtej kësaj të vërtete, kjo ikje e heshtur bën më shumë zhurmë se sa fjalimi i çdokujt prej nesh që nuk i thotë gjërat ashtu siç janë, plotësisht dhe sinqerisht.

Jam plotësisht e bindur si çdo kush me pak mend në kokë që nuk mund ta ndalojmë këtë hemoragji duke vendosur gardhe për t’i ndaluar shqiptarët që të ikin. Pasi në fakt bashkëatdhetarët tanë ikin nga ky vend jo sepse nuk e duan por sepse mundësitë atyre po u rrëmbehen.

Duan mundësi ekonomike, e cila për fatin e keq nga viti në vit po zvogëlohet: Shumica dërrmuese e shqiptarëve largohen nga mungesa e sundimit të ligjit dhe kjo duhet të jetë thirrja që duhet të dëgjojë më së pari SPAK.

Largohen sepse shohin se si korrupsioni është kthyer në normë, në vlerë, në një biletë që të ofron suksesin në shoqëri.

/5pyetjet.al

spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
- Advertisement -spot_img

Më tepër

- Advertisement -spot_img

Lajmet e fundit