Pritja ende nuk ka mbaruar. Duhet të vazhdojë të paktën deri në javën e parë të dhjetorit. Sot është shtyrë sërish seanca gjyqësore e caktuar për këtë të enjte në Gjykatën e Apelit për statutin e PD, ankimim i bërë nga grupi i demokratëve të drejtuar nga Enkelejd Alibeaj.
Në një njoftim për mediat, Gjykata e Apelit bën me dije se seanca sot nuk u zhvillua, për shkak se përfaqësuesi ligjor i PD-së, Indrit Sefa që mbron grupin e Enkelejd Alibeajt ka depozituar kërkesë për shtyrje. Kjo është hera e dytë që shtyhet nga Sefa. Seanca e ardhshme është caktuar në datë 06.12.2022, ora 09:30.
“Ne vijim te komunikimeve mbi veprimtarine e Gjykates se Apelit Tirane, ju informojme se seanca e sotme gjyqesore qe ishte planifikuar te zhvillohej, kerkesa e Partise Demokratike, nuk u zhvillua, per shkak se perfaqesuesi ligjor, ka depozituar kerkese per shtyrje seance.
Seanca e ardhshme gjyqesore eshte caktuar ne date 06.12.2022, ora 09:30”, thuhet në njoftimin e Gjykatës.
Çfarë do të shqyrtohet?
Gjykata do të shqyrtojë ankimimin e Partisë Demokratike, kundër vendimit të marrë nga gjykata më 18 mars 2022, kur regjistroi ndryshimet statutore të Kuvendit të PD-së të 17 korrikut 2021.
PD thekson në akimimin e saj se Gjykata duhet të kishte shqyrtuar edhe kërkesën tjetër të Partisë Demokratike, për regjistrimin e ndryshimeve në Statutin e Kuvendit të 18 dhjetorit.
Një ndër vendimet e rëndësishme të Kuvendit të 18 dhjetorit, ishte përjashtimi nga partia e personave që janë “non grata” nga SHBA-të duke synuar në mënyrë të drejtpërdrejtë Sali Berishën.
Në rast se gjykata do të pranojë ankimin e PD-së për të bashkangjitur dy kërkesat për ndryshimet statutore, atëherë ‘zhbëhet’ Kuvendi i 11 dhjetorit 2021, i Sali Berishës. Ndryshimet statutore të Kuvendit të Sali Berishës, u regjistruan nga gjyqtari Agron Zhukri i cili më 25 mars i kaloi PD-së Berishës.
Gjyqtarja Blerina Muça pranoi në 18 mars të 2022 kërkesën e bërë nga Gazmend Bardhi për njohjen e ndryshimeve në statutin e PD të miratuara në 17 korrik 2021, vendim i cili u ankimua më pas nga vetë Bardhi që kërkoi bashkëngjitjen e ndryshimeve të vendosura nga Kuvendi i thirrur nga Lulzim Basha më 18 dhjetor.
Gjithashtu në Gjykatë është edhe ankimi i Enkelejd Alibeajt kundër vendimit të Zhukrit për regjistrimin e statutit të Berishës.
Për këtë arsye, Gjykata sqaroi më parë se çdo pasqyrim në regjistrin e partive politike në Gjykatën e Tiranës do të pritet sqarimi i çështjes në apel, e cila do të ishte një vendim i formës së prerë që do vendosë për fatin e Partisë Demokratike.