Deputeti i Partisë së Lirisë, Petrit Vasili është shprehur se nga Ministria e Financave mungon kontrolli i objekteve që jepen me koncesion dhe koncesionarëve.
Ai ka treguar se vetëm 28% të kontratave koncesionare kontrollohen nga ministria. Vasili i ka kërkuar SPAK-ut që të fillojë hetimin e thelluar kryesisht për këtë situatë tërësisht në shkelje të ligjit dhe me dëme të pallogaritshme të financave publike.
“Ministria e Financave nuk raporton situacionet e punimeve sipas pagesave të dhëna nga buxheti i shtetit për kontratat në Transportit, Energjisë, Zhvillimit Urban, Zhvillimit Ekonomik, Kontrollit Fiskal, Mjedisit dhe Shëndetësisë ndërsa elementë të tjerë tepër të rëndësishëm të kontratave mbetën tërësisht të paprekura, pra do të thotë gjithçka është në dorë të koncesionarëve që bëjnë si duan me paratë publike.
Vetë Ministria e Financave pranon se kontrollon vetëm 28% të kontratave koncesionare dhe pjesa më skandaloze është që vetë ministria pohon se: “Duke qenë se procesi i monitorimit është ende në fillimet e tij, numri dhe kompleksiteti i kontratave të koncesionit/PPP në Shqipërisë është i lartë, si dhe jo çdo kontratë ka një Njësi Zbatimi Projekti përgjegjëse për monitorimin e saj, mbledhja e informacionit ka hasur vazhdimisht vështirësi dhe për rrjedhojë ky raport do të përcjellë informacion për 65 kontrata koncesioni/PPP”, është shprehur Vasili.