Policia e Stambollit tha se ka arrestuar 46 veta në lidhje me shpërthimin e së dielës në një qendër tregtare në qytet, që la pas vetes 8 të vrarë dhe 81 të plagosur.
Në mesin e të arrestuarve është edhe në grua që besohet të ketë vendosur bombën.
“Vlerësimi ynë është se urdhri për sulmin vdekjeprurës erdhi nga Ayn al-Arab në veri të Sirisë, ku ndodhet selia e PKK/YPG”, tha ministri i Brendshëm Suleyman Soylu. Partia militante e Punëtorëve të Kurdistanit, ose PKK, është një organizatë militante e separatistëve kurdë.
Ministri Soylu tha se pesëdhjetë prej të plagosurve janë liruar nga spitalet, por pesë mbeten në repartin e kujdesit intensive dhe dy nga të plagosurit janë në gjendje kritike.
Ministri i Brendshëm tha se Turqia “do të hakmerret kundër atyre që janë përgjegjës për këtë sulm të tmerrshëm terrorist”.
Më herët, presidenti turk Recep Tayyip Erdogan tha se ata që u përfshinë në terrorizmin kundër Turqisë u mundën në të kaluarën dhe do të jenë të mundur edhe në të ardhmen. Presidenti Erdogan mbërriti në Bali për të marrë pjesë në samitin e G-20, disa orë pas shpërthimit.
Turqia, Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian e konsiderojnë PPK-në një organizatë terroriste. YPG është dega e saj siriane./VOA