Artemis Vasili, 19-vjeçarja shqiptare u zhduk 2 vite më parë në shtetin helenë. Mediat greke kanë zbuluar disa detaje të reja për të.
Një dëshmitari ka zbuluar se një ditë pas zhdukjes së saj, ajo është parë e ulur në një nga stolat e plazhit të Shën Marinës.
“Është diçka e re kjo dëshmi. Ndërsa më parë personi i fundit e kishte parë në stacionin e autobusit duke pritur dikë, tani vjen një dëshmi që ndryshon të gjitha faktet dhe na thotë se e sheh në plazhin e Shën Marinës. Kjo zonë nuk ishte kontrolluar kurrë. Besojmë se këtë javë do të jepet urdhër për kontroll edhe në këtë zone”, tha avokati i familjes, Anastasios Dugas.
Prindërit e vajzës kanë bërë me dije se e reja shkonte shpesh në atë plazh, para ndarjes nga i dashuri. Ky i fundit kishte shkuar ushtar dhe pas rikthimit është shprehur i gatshëm të ndihmojë hetuesit edhe pse nuk ka dhënë një dëshmi të vlefshme.
Artemis Vasili u zhduk më datë 15 tetor 2020 në Koropi, teksa familjes i kishte thënë se po shkonte për të dhënë një intervistë pune, por nuk u kthye më.
Mediat greke citojnë disa dëshmitarë që janë shprehur se e kanë parë vajzën shqiptare në një gjendje të keqe psikologjike. Vajza është parë duke qarë e vetme në një rrugë kryesore të Athinës.