Deputeti demokrat, Gazment Bardhi ka replikuar ashpër me drejtuesen e Komisionit të Ligjeve, Klotilda Bushkën përsa i përket projektit të Portit të Durrësit. Bushka gjatë fjalës së saj tha se shteti nuk do të nxjerrë asnjë para nga buxheti i saj për këtë projekt.
Kjo deklaratë ka sjellë reagimin e deputetit Bardhi, i cili e konsideroi një mashtrim. Sipas deputetit demokrat, në këtë projekt do të investojë kryeministri Edi Rama bashkë me qeverinë për të fshehur paratë e krimit.
Bardhi: Gënjeshtra e vetme është e juaja.
Bushka: Përjashtimi nga taksa e ndikimit në infrastrukturë, nuk po i jepet zhvilluesit të huaj, por një shoqërie të përbashkët mes investitorit të huaj dhe një shoqërie 100% shqiptare.
Bardhi: Po japim 630 milionë euro dhe marrim mbrapsht 280 milionë euro.
Bushka: Sigurisht në këtë shoqëri, shteti ka 33%. Shteti shqiptar në këtë marrëveshje futet pa dhënë asnjë para.
Bardhi: Si asnjë para? Pronat kujt të janë. Si gënjen kështu. Prona publike nuk ka vlerë kështu.
Bushka: Shteti shqiptar nuk ka gjetur një bamirës, sepse kështu do Bardhi dhe Alibeaj. Po të bënim diskutim serioz, do ju jepja të drejtë ju.
Bardhi: Diskutim jo serioz është ky që bën ti. Përjashtimin nga taksa e bën shoqërisë së përbashkët shtet-privat që do realizojë projektin.
Bushka: Kompania do investojë në Shqipëri 2.1 miliardë euro për të bërë një zonë turistike.
Bardhi: Nuk do i investojë ai, mos gënje. Nuk do i investojë ai. Do i investojnë njerëz ku Edi Rama dhe banda në pushtet ka fshehur lekët e korrupsionit. Gjeje ku do i investojë 2.1 miliardë euro. Gjeje në marrëveshje.
Bushka: Zoti Bardhi mos më ndërpre. Ju folët, tani e kam unë radhën. Tokën ia japim në pronësi? Më gjeni një rresht ku thuhet se tokën e japim në pronësi. Ne e japim në përdorim.