Policia e Tiranës e mohoi lajmin se është identifikuar dhe shpallur në kërkim autori i vrasjes së Briken Sanajt në Tiranë në 30 tetor, te zona e Kodrës së Diellit. Por detaje të reja janë zbardhur nga burime policore. Grupi hetimor ka vendosur në shënjestër Agustin Kolën për vrasjen.
Por si u zbulua?
Policia ra në gjurmët e autorit nga provat e gjetura në makinën “Benz” të përdorur nga autorët e krimit të cilën e dogjën më pas në Qafë-Kashar. Mjetit iu verifikua numri i shasisë ku rezultoi se pikërisht ajo makinë ishte blerë në Kosovë.
Pasi janë zbuluar pronarët e mëparshëm të mjetit në Kosovë janë marrë në pyetje ku kanë konfirmuar se mjeti ishte blerë nga Agustin Kola. Ky person ka dalë jashtë territorit shqiptar 3 ditë pas vrasjes së Briken Sanajt. Dhe për policinë ky është i dyshuari kryesor.
Sipas burimeve, shkak për sherrin që më pas solli edhe vrasjen e të riut është bërë një sherr i 10 viteve më parë për një vajzë. Në Shëngjin të Lezhës ka pasur një konflikt mes vëllait të Briken Sanajt dhe Gentian Kolës. Sipas burimeve, në kërkim policor është shpallur vëllai i Gentian Kolës, që dyshohet se ndodhet në Belgjikë.
Si ndodhi vrasja?
39-vjeçari që u ekzekutua mbrëmjen e 30 tetorit pranë banesës së tij dyshohet se është vrarë për hakmarrje, pasi 10 vite më parë i vëllai kishte plagosur një person në Lezhë. Ai kishte 14 ditë që ishte kthyer nga Italia për dasmën e shokut të ngushtë në Lezhë.
Nuk qëndronte në Lezhë por në Tiranë duke hyrë dhe dalë te rezidenca në “Kodrën e Diellit” me emrin e shokut. Pasi mbaroi dasma në Lezhë u kthye bashkë me shokun në Tiranë. Autorët, që dyshohet se ishin dy, e pritën duke e ekzekutuar më pas u larguan dhe dogjën makinën në Kashar.