Shtetet e Bashkuara janë thellësisht të shqetësuara për krijimin e ‘stacioneve policore’ të paautorizuara nga qeveria kineze në qytetet amerikane për të kryer ndoshta presion mbi disa shtetas me origjinë kineze, u tha ligjvënësve të enjten drejtori i FBI-së, Christopher Wray.
Safeguard Defenders, një organizatë e të drejtave të njeriut me bazë në Evropë, publikoi një raport në shtator ku zbulohet prania e dhjetëra “stacioneve të shërbimit” të policisë kineze në qytetet e mëdha anembanë botës, përfshirë Nju Jorkun.
Në raport thuhet se stacionet janë një zgjatim i përpjekjeve të Pekinit për të ushtruar presion ndaj disa shtetasve kinezë ose të afërmve të tyre jashtë vendit, për t’u kthyer në Kinë e për t’u përballur me akuza penale.
Ai gjithashtu i lidhi ato me aktivitetet e Departamentit të Punës së Frontit të Bashkuar të Kinës, një organ i Partisë Komuniste i ngarkuar me përhapjen e ndikimit dhe propagandës së saj jashtë shtetit.
“Jam shumë i shqetësuar për këtë. Ne jemi të vetëdijshëm për ekzistencën e këtyre stacioneve”, tha zoti Wray në një seancë dëgjimore të Komisionit të Sigurisë Kombëtare dhe Çështjeve Qeveritare të Senatit, duke pranuar ekzistencën e tyre, por duke refuzuar të detajojë punën hetimore të FBI-së për këtë çështje.
Ambasada e Kinës në Uashington nuk iu përgjigj menjëherë një kërkese për koment. Në fillim të këtij muaji, ministria e saj e jashtme mohoi se kishte stacione të tilla në Holandë pas një hetimi nga autoritetet holandeze. Kina tha se ato ishin zyra për të ndihmuar qytetarët kinezë të rinovonin dokumentet.