Presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan zhvilloi të premten një bisedë telefonike me homologun e tij ukrainas, Volodymyr Zelenskiy, dhe sipas zyrës për komunikimin me mediat të presidentit turk, të dy liderët uruan njëri-tjetrin për zgjatjen e marrëveshjes së grurit të ndërmjetësuar nga OKB-ja.
Presidenti turk i tha Zelenskiyt se zgjatja e marrëveshjes për korridorin e grurit dhe shkëmbimi i të burgosurve midis Rusisë dhe Ukrainës ishin përvoja pozitive dhe se nga “zgjerimi i këtij mirëkuptimi në tryezën e negociatave” do të përfitonin të gjitha palët.
Po ditën e premte, Erdogan zhvilloi bisedë telefonike edhe me presidentin rus Vladimir Putin. Sipas një njoftimi të drejtorisë së komunikimeve të presidencës turke, në bisedë u diskutuan çështjet rajonale, veçanërisht marrëdhëniet Turqi-Rusi dhe zhvillimet rreth korridorit të drithit.
Bëhet me dije se gjatë bisedës, Erdogan ka falënderuar presidentin rus Putin për qëndrimin e tij konstruktiv në lidhje me zgjatjen 120-ditore të marrëveshjes për eksportet e drithërave.
Presidenti Erdogan gjithashtu ka falënderuar homologun rus për ngushëllimet e tij për sulmin terrorist të së dielës në Stamboll./REL