Duke folur për protestën e opozitës më 6 dhjetor, deputeti i PS, Arben Pëllumbi, i ftuar në ‘5 Pyetjet’ nga Ilir Babaramo, u shpreh se e drejta e protestës është e drejtë e çdokujt, mjafton që të marrë lejen përkatëse në polici.
Sipas tij, është normale të ketë protesta, por vijoi më tej duke thënë se ajo që e bën shqetësuese situatën, është fakti se përse protesta është ditën kur në Shqipëri mblidhen liderët europianë në Samitin BE-Ballkani Perëndimor.
Pëllumbi deklaroi se Shqipëria është zgjedhur si vendi ku do të mbahet ky takim për arsyen se, Brukseli ka vendosur që ta zhvendosë selinë qendrore të takimit në fjalë, për të dhënë mesazhin e mbështetjes së BE ndaj Ballkanit Perëndimor, në kuadër të luftës së Rusisë në Ukrainë.
Sipas Pëllumbit, u zgjodh Shqipëria pasi shikohet si një faktor stabiliteti në Ballkan dhe si një shtet që në politikën e saj të jashtme nuk ka pasur asnjë lloj ekuivoku.