Ndonëse lumenjtë Krena, Erenik dhe Llukas të cilët përshkojnë komunën e Gjakovës kanë arritur pikat kritike për shkak të reshjeve të dendura të shiut, gjendja është stabile dhe nën kontroll.
Deri në këto momente në këtë komunë janë evakuuar pesë familje, ndërsa lumenjtë kanë vërshuar disa rrugë dhe ura.
Udhëheqësi i sektorit për siguri dhe emergjenca në kuadër të Drejtorisë për Mbrojtje dhe Shpëtim në Gjakovë, Besim Meqa tha se gjendja e lumenjve që përshkojnë këtë komunë është më stabile. Sipas tij ndonëse dje lumenjtë, Krena, Erenik, Llukas kanë arritur pikat kritike, sot vërehet rënie e lehtë e nivelit të ujit.
“Gjatë gjithë kohës jemi të mobilizuar në monitorimin dhe vlerësimin e gjendjes aktuale… Këtu në Gjakovë dje kemi pas një situatë pak më kritike meqenëse lumenjtë qe përshkojnë territorin e komunës së Gjakovës si Erenik, Krena dhe lumi Llukas kanë arritur pikat kritike, dje ka qenë një moment që ka mundur edhe të përkeqësohet gjendja, por fatmirësisht intensiteti i ujit ka rënë në ato kuota dhe nuk i ka tejkaluar parashikimet tona dhe kemi pas situatë relativisht stabile…
Sot lumenjtë akoma janë në pikët kritike ka një rënie të lehtë shihet është evidente në bazë të vlerësimeve në terren dhe monitorimit shohim që ka ulje të nivelit, por nuk është ndonjë ulje substanciale… ”, tha ai.
Meqa për KosovaPress tregoi se nga dje kanë pas më shumë vërshime të rrugëve dhe disa urave, ndërsa janë evakuuar edhe pesë familje në lagjen Bretkoc i Ulët.