Ardian Çapja dha një dëshmi të fortë dje në gjyqin për vrasjen e babë e bir, Nezir dhe Gentian Beqirajt që akuzohet se e ka porositur.
Ai kërkoi që të zbardhet vrasja e avokatit Ravik Gurra dhe paralajmëroi se brenda do të gjenden “thesare”, referuar përfshirjes së zyrtarëve të lartë.
“Vrasja e avokatit Ravik Gurra lidhet me masakrën e 3 shkurtit. Prokurori Ridvan Sukaj nuk na ka marrë dëshmi për ngjarjen e 2016 dhe kjo është hakmarrje e Sukajt ndaj nesh.
Hetimet vazhduan për 2 vite dhe nuk arritën të zbulojnë asgjë. Këtu ka filluar manipulimi dhe orientimi i hetimeve. Unë skam lidhje me vrasjen e 2012 sepse kjo vërtetohet nga qelizat telefonike që kam qenë jashtë vendit.
Këtë manipulim e ka bërë prokurori Ridvan Sukaj. Kam dëgjuar në media që ju prokurori Dibra keni nën hetim vrasjen e avokatit tim Ravik Gurra, ke tre telefona, ke dosjen time, gjej kush ka vrarë avokatin bëj drejtësi.
Nëse zbardh vrasjen e avokatit Gurra do zbulosh thesare. Nisini hetimet që aty. Hap hetimin e Ravikut aty ke gjithë të vërtetën” deklaroi Çapja.
Por kush ishte Ravik Gurra?
Avokati i njohur u vra në 22 mars 2019. Ravik Gurra, mbrojtësi ligjor i Çapajve, fisit të njohur në Elbasan, u ekzekutua me silenciator me një plumb në kokë teksa ishte ulur në një lokal duke pirë kafe shumë pranë qendrës së qytetit.
Ai ndodhej në të njëjtën tavolinë në shoqërinë e një eksperti të Avokatit të Popullit. Autorët kanë qenë dy. 50-vjeçari me shtetësi angleze bënte një jetë mes Shqipërisë dhe Anglisë.
Vrasja ende nuk është zbardhur edhe pas tre vitesh. Ai ishte bërë i njohur edhe për faktin se kishte mbrojtur mes të tjerash edhe çështjet e Emiljano Shullazit dhe fisit Çapja.
Pse ike me vrap? Çapja sherr në gjyq: Nëse zbardhet vrasja e avokatit do gjeni thesare