Mos arritja e një marrëveshje mes Kosovës dhe Serbisë për çështjen e targave në Bruksel, ka nxitur reagimin e ambasadorëve të vendeve të Quint-it. Kryeministrit Albin Kurti sot i shkuan në zyre ambasadorët e Gjermanisë dhe Francës, Jorn Rohde dhe Olivier Guerot.
Kështu ka njoftuar Zyra e Kryeministrit, ku u theksua se takimet e djeshme në Bruksel ishin temë qendrore e diskutimit me ç ‘rast kryeministri Kurti i njoftoi ambasadorët me qëndrimet e mbajtura dhe propozimet e dhëna të Republikës së Kosovës përgjatë tyre.
“Ai e ritheksoi se përmes pjesëmarrjes në takime të ftuara nga ndërmjetësuesit dhe propozimeve të saj, Republika e Kosovës ka dëshmuar konstruktivitetin, gatishmërinë dhe interesimin për arritjen e marrëveshjes ligjërisht të obligueshme për normalizimin e plotë të marrëdhënieve me njohjen reciproke në qendër dhe se për dallim nga Serbia, e konsideron si bazë të mirë propozimin e Bashkimit Evropian, të mbështetur nga Gjermania, Franca dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, thuhet në njoftim.
U theksua nevoja për përpjekje maksimale për arritjen e një dakordimi brenda orëve të mbetura nga afati shtesë prej 48 orësh, ashtu që përafrimi i djeshëm në Bruksel të rezultojë në pajtueshmëri të përbashkët.