Ambasadorja amerikane në Tiranë, Yuri Kim është vendosur në lëvizje teksa kanë nisur procedurat për zgjedhjen e kreut të ri të SPAK-ut, që do të pasojë Arben Krajën.
Fillimisht, dje diplomatja paralajmëroi këdo që të mos tentojë që të manipulojë procesin e zgjedhjes. Sot, ambasada njoftoi se Yuri Kim dje kishte pasur një takim me ministrin e Drejtësisë.
Nuk dihet nëse postimi i djeshëm i ambasadores për kreun e ri të SPAK-ut është bërë përpara apo pas takimit me Ulsi Manjën.
Por ajo që dihet dhe shihet është mesazhi i qartë mes rreshtave që ambasadorja jep, kur flet për forcimin e sanksioneve që firmosi Joe Biden vitin e kaluar kundër korrupsionit.
A është ky një paralajmërim që të mos tentohet të “futen duart” te zgjedhja e kreut të ri të SPAK-ut dhe institucionet e reja të drejtësisë?
Duket se pas paralajmërimit të djeshëm, sot vjen një tjetër sinjal i fortë. Gjithsesi edhe pse ky është vetëm një interpretim, e vërteta është se ambasada është e shqetësuar për procesin dhe këtë ambasadorja e pohoi qartë.
“Ambasadorja Yuri Kim u takua dje me Ministrin e Drejtësisë Ulsi Manja për të shqyrtuar progresin në zbatimin e reformës në drejtësi dhe rëndësinë e saj për aspiratat e Shqipërisë për integrimin në BE.
Ambasadorja theksoi sërish që Presidenti Biden në qershor 2021 e identifikoi luftën kundër korrupsionit si një interes thelbësor të sigurisë kombëtare, sepse kërcënon sigurinë, barazinë ekonomike, progresin dhe demokracinë.
Takimi i paraprin pjesëmarrjes së Ministrit Manja në Konferencën e Njezetë Ndërkombëtare Kundër Korrupsionit (IACC) në Uashington, DC, 6-10 dhjetor” thuhet në njoftim.
Këshilli i Lartë i Prokurorisë miratoi listën me kandidatët për drejtues të SPAK, të cilët janë Adnan Xholi, Altin Dumani dhe Edvin Kondili.
Kush po e manipulon zgjedhjen e kreut të SPAK? Qeveria i përgjigjet Yuri Kim