Duke folur në një aktivitet mysliman, Presidenti turk, Rexhep Taip Erdogan të mërkurën sulmoi Perëndimin për vështirësitë me të cilat përballen myslimanët në vendet e shkatërruara nga lufta.
“Si myslimanë, po kalojmë një periudhë të vështirë dhe të dhimbshme. Nga Palestina në Liban, nga Gjiri në Sudan, nga Somalia në Jemen, kudo që të shikojmë, për fat të keq përballemi me lot”, tha ai në një aktivitet mysliman. “Në këto ditë sprovash, kur e ashtuquajtura bota e civilizuar po vepron si ‘tre majmunët’ (një frazë që rrjedh nga tradita japoneze dhe interpretohet si dëshira e dikujt për të shmangur dëgjimin, shikimin ose të folurit për të keqen), foshnjat në djepat e tyre dhe civilët po masakrohen me egërsi. Sot, të gjithë shohim fytyrën e vërtetë të atyre që, për vite me radhë, kanë folur me arrogancë për drejtësi dhe barazi në çdo rast”.
“Dua ta shpreh qartë: për të kaluar këtë provë, nuk ka rrugë tjetër përveçse të mbahemi fort pas Kuranit. Për të kapërcyer këtë provë, nuk kemi zgjidhje tjetër përveçse të besojmë në njëri-tjetrin, të besojmë dhe të mbështesim njëri-tjetrin”, vazhdoi Erdogan.
“Si myslimanë, jemi të detyruar të lëmë mënjanë mosmarrëveshjet, grindjet dhe armiqësitë, si dhe konfrontimet e parakohshme dhe të pakuptimta, dhe të bëhemi një trup i vetëm. Mos u ktheni kundër njëri-tjetrit, sepse atëherë do të dobësoheni dhe do të humbni forcën tuaj. Ne duhet ta zbatojmë këtë paralajmërim hyjnor në çdo aspekt të jetës sonë. Mos i prisni lidhjet midis jush. Mos ia ktheni shpinën njëri-tjetrit. Mos u ushqeni me urrejtje. Mos e keni zili njëri-tjetrin. O shërbëtorë të Zotit, jini vëllezër. Udhërrëfyesi dhe modeli ynë duhet të jetë në mënyrën më të fuqishme kjo këshillë e Profetit, Vulës së Profetëve. Përndryshe, nuk do të jemi në gjendje t’i kapërcejmë këto vështirësi, të kapërcejmë pengesat që na dalin përpara dhe t’u japim fund këtyre vuajtjeve. Do të jemi të duruar. Nuk do ta humbasim shpresën. Do të bashkohemi fort, si tullat e një muri. Dhe të gjithë së bashku, me ndihmën e Zotit, do të ndërtojmë një të ardhme paqësore pa shtypje dhe shtypës”, shtoi presidenti turk./ Protothema









