Para 15 vitesh diplomati gjerman Wolfgang Ischinger propozoi modelin e dy Gjermanive. Model ky, si ide për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve mes Serbisë dhe Kosovës.
Tani, siç shkruan gazeta gjermane “Frankfurter Algemeine Zeitung”, kjo ide është rikthyer në tavolinë. Kjo përmes një propozimi gjermano-francez.
“Beogradi dhe Prishtina po debatojnë për targa. Por, në fakt, bëhet fjalë për të ardhmen e Kosovës”, shkruan “Frankfurter Algemeine Zeitung”. Më tej, ajo pyet nëse është e mundur një zgjidhje sipas modelit gjermano-gjerman.
Artikulli përshkruan negociatat maratonike mes Kurtit dhe Vuçiqit në Bruksel, për dështimin e të cilave Përfaqësuesi i Lartë i BE-së, Josep Borrell, fajësoi Kurtin.
Ndërsa gazeta ishte në shtyp, në Bruksel u njoftua se ishte arritur një marrëveshje:
Serbia nuk do të lëshojë më tabela të regjistrimit që i referohen qyteteve të Kosovës. Kurse Kosova do të pezullojë të gjitha aktivitetet që kanë të bëjnë me riregjistrimin.
Serbia, me mbështetjen e Rusisë dhe Kinës në Këshillin e Sigurimit, nuk e njeh pavarësinë e Kosovës. Gjithashtu “bllokon ndërtimin e shtetësisë së Kosovës kudo që është e mundur”.
“Për të mënjanuar konfliktin, raportohet se kohët e fundit një propozim gjermano-francez nxiti idenë që diplomati gjerman Wolfgang Ischinger e hodhi në tavolinë në vitin 2007. Ischinger atëherë ishte përfaqësues i BE-së në të ashtuquajturën ‘Trojka e Kosovës’. Ajo përbëhej nga një diplomat amerikan dhe një rus. Në momentin e fundit, ajo duhej të shqyrtonte nëse mund të kishte ende zgjidhje të pranueshme si për Beogradin, ashtu edhe për Prishtinën, edhe pse Perëndimi kaherë kishte vendosur që të mbështeste pavarësinë e Kosovës”, thuhet në artikull.
Një model i tillë, vlerëson gazeta gjermane, ofron mundësi që pikëpamjet e kundërta për statusin e Kosovës të shndërrohen në një formë që do të ishte e pranueshme për të dyja palët.
“Kështu, Beogradi mund ta njohë de fakto Kosovën. Por në një letër përkatëse të theksojë pretendimin që rrjedh nga Kushtetuta e brendshme për të mos hequr dorë nga Kosova”, vlerëson gazeta.
Motoja e një marrëveshjeje të tillë, sipas Ischinger, do të ishte “Agree to disagree“, respektivisht “Pajtohemi që të mos pajtohemi”.