-sidi education-spot_img
8.5 C
Tirana
-sidi education-spot_img

Blushi: Bashkimi, e vetmja mundësi që Kosova e Shqipëria të mbijetojnë

Kryesoret

“Shqipëria po bëhet një vend më i vogël, shumë njerëz po ikin. Kosova është një vend depresiv, i izoluar, i vetmuar. Këtë përshtypje pata kur erdha. E vetmja mundësi që këto dy vende të mbijetojnë dhe të kenë një energji, të fitojnë energji dhe diaspora jonë të rikthehet për të bërë Shqipërinë dhe Kosovën, është bashkimi”, thotë shkrimtari e politikani Ben Blushi.

Në një intervistë për Kohën ai ka folur për rrëfimin e tij nga Ukraina që e sjell edhe në Prishtinë, për letërsinë, gjuhën standarde, kosovocentristët që po e izolojnë Kosovën. Është përgjigjur në pyetjen se ku janë shqiptarët në 110-vjetorin e shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë.

“Kosova është fronti i dytë më delikat në Evropë, mbas Ukrainës…”

Kjo është edhe arsyeja pse desha të vija në Kosovë, sepse isha i bindur që ky konflikt kuptohet mirë në Kosovë. Lufta e fundit që ndodhi në Evropë ishte ajo në Kosovë, në vitin ‘99. Ky konflikt është përgjithësisht i ngjashëm, pavarësisht se atje po zgjat më shumë se këtu, që fatmirësisht zgjati shumë shkurt.

Në Ukrainë po bëhet gati një vit prej kur ka shpërthyer lufta. Pavarësisht kësaj, unë doja ta sillja këtë ekspozitë në Kosovë për dy arsye: së pari, sepse Kosova e kupton ç’do të thotë një konflikt i armatosur, ç’do të thotë që civilët të sulmohen nga një ushtri e huaj apo nga një ushtri armike dhe këto i ka vuajtur vetë e edhe sot ka kërcënime përditë që fatkeqësisht mund të sjellin trazira në Kosovë, por shpresoj që të mos ndodhë.

E dyta, po luftohet edhe për Kosovën, po luftohet edhe për ne shqiptarët. Do ta them këtë gjë shumë hapur. Fronti ruso-ukrainas është fronti midis Lindjes dhe Perëndimit. Aty lufton Lindja, e cila nuk ka qenë e favorshme për shqiptarët. Rusia nuk ka qenë një aleat i shqiptarëve historikisht dhe nuk është as sot. Ajo është aleat i serbëve.

Dhe në qoftë se Rusia e fiton luftën, vendet tona nuk do të kenë ditë të mira, aq më pak Kosova. Kosova është fronti i dytë më delikat në Evropë, mbas Ukrainës. Për fat të mirë nuk është një zonë konflikti e armatosur, por është një zonë konflikti permanent që mund të shpërthejë nga dita në ditë. Dhe në qoftë se Rusia e fiton luftë, që me sa duket për fatin tonë të mirë e të Ukrainës nuk do ta fitojë, demokracitë tona do të kenë probleme. Në qoftë se dallga ruse përmbyt Ukrainën, do të vijë shumë shpejt edhe në Kosovë.

Kjo do ta trimëronte më shumë Serbinë, e cila do të bëhej më e ashpër për të fituar të drejtat që i ka humbur në Kosovë. Pra, ne si popuj të Ballkanit, shqiptarët në përgjithësi, qoftë në Kosovë, qoftë në Shqipëri, kanë zgjedhur demokracinë. Pra, kanë zgjedhur forma qeverisëse transparente ku qeveritë vijnë dhe ikin me zgjedhje të lira. Në Lindje nuk është kështu: as në Kinë, as në Rusi apo në shumë vende të tjera të asaj zone.

Pra, aty po ndeshen demokracia me autokracinë. Ne jemi tifozë dhe aleatë të demokracisë dhe duam që demokracia të fitojë në atë front. Shpresoj që të ndodhë kështu. Kjo ishte arsyeja e dytë pse doja ta sillja ekspozitën në Kosovë për të kuptuar që ky është një front që na përket edhe neve. Pra, fronti i Ukrainës na përket edhe ne shqiptarëve dhe duhet të bëjmë gjithçka që aty Ukraina dhe demokracia të fitojnë mbi autokracinë dhe mbi Rusinë.

“Sëmundja e pesimizmit” në Evropë e Shqipëri

Është e vërtetë që shqiptarët sot lexojnë më pak. Nuk e di në Kosovë, por në Shqipëri kjo është e dukshme. Kjo nuk është çështje varfërie por çështje humori dhe çështje mode. Nuk është se shqiptarët nuk kanë para për të lexuar. Në përgjithësi gjithë Evropa dhe Shqipëria janë prekur nga ajo që unë e quaj “sëmundje pesimizmit”. Është një vend pesimist, nuk ka shumë humor për të lexuar.

Dhe e dyta është moda. Shkrimi sot, letërsia në radhë të parë ka shumë konkurrentë. Para tridhjetë, dyzet vjetësh ne ishim një vend i mbyllur, letërsia nuk kishte konkurrentë. Të gjithë njerëzit lexonin letërsi, sepse nuk kishin çfarë të bënin pas punës apo në kohën e lirë.

Sot koha e lirë mbushet me Instagram, me Youtube, me Tik-Tok, me Facebook, me futboll, me Netflix. Të gjithë këta janë konkurrentë të letërsisë. Sepse letërsia si Netflixi, si filmi, si Tik-Toku, si Instagrami është diçka që konsumohet kur t’i nuk punon. Njerëzit nuk lexojnë duke punuar, por pas punës. Kjo kohë është bërë gjithnjë e më e vështirë, sepse njerëzit punojnë më gjatë.

Ajo është bërë më e shkurtër, sepse njerëzit merren me fëmijë, pastaj me Instagramin, pastaj me Tik-Tokun, pastaj do të shohin futboll dhe letërsia vjen e fundit në radhën e kënaqësive.

Pra, në radhën e kënaqësive, që letërsia të ndryshojë, të zërë vend, të konsumohet pak më shumë seç konsumohet, sepse ajo nuk e mund dot Tik-Tokun, natyrisht as Instagramin. Letërsia e mirë, në qoftë se shkruhet si e tillë, natyrisht ka shanse të rikthehet dhe të gjejë një pozicion të merituar në radhën e kënaqësive që ka njeriu.

/5pyetjet.al

spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
- Advertisement -spot_img

Më tepër

- Advertisement -spot_img

Lajmet e fundit