Protestat kundër kufizimeve të Covid në Kinë duket se janë intensifikuar pas një zjarri që vrau 10 persona në një bllok apartamentesh në Urumqi.
Mijëra njerëz dolën në rrugët e Shangait për të kujtuar viktimat dhe për të demonstruar kundër kufizimeve. Shumë u dëgjuan duke bërë thirrje për dorëheqjen e presidentit Xi Jinping.
Në protestën në Shangai, qyteti më i madh i Kinës dhe një qendër globale financiare disa njerëz u panë duke ndezur qirinj dhe duke vendosur lule për viktimat. Të tjerë u dëgjuan duke bërtitur parulla të tilla si “Xi Jinping, largohu” dhe “Partia Komuniste, largohu”.
Disa mbanin gjithashtu pankarta të bardha bosh. Kërkesa të tilla janë një pamje e pazakontë brenda Kinës, ku çdo kritikë e drejtpërdrejtë ndaj qeverisë dhe presidentit mund të rezultojë në dënime të ashpra.
Një protestues i tha BBC-së se ndihej “i tronditur dhe paksa i emocionuar” kur shihte njerëz në rrugë, duke e quajtur këtë hera e parë që ai kishte parë një disidencë kaq të gjerë në Kinë.
Ai tha se bllokimet e bënë të ndihej “i trishtuar, i zemëruar dhe i pashpresë” dhe e kishin lënë pa parë nënën e tij të sëmurë.
Një demonstruese i tha BBC-së se oficerët e policisë u pyetën se si ndiheshin për protestat dhe përgjigja ishte “e njëjtë si ju”. Por, tha ajo, “ata veshin uniformat e tyre kështu që po bëjnë punën e tyre”.
Të tjerë dhanë rrëfime për dhunë, me një protestues që i tha agjencisë së lajmeve Associated Press se një nga miqtë e tij ishte rrahur nga policia në vendngjarje. BBC shkruan se ka parë të paktën tre persona duke u futur në makinat e policisë.