Ish-kryeministri Sali Berisha kërkon përjashtimin e Serbisë nga Kampionati Botëror që po zhvillohet në Katar pas provokimit me hartën e Kosovës dhe dënon heshtjen e Edi Ramës.
“Shpërthim racizmi antishqiptar i ekipit të ultranacionalist serb në Katar. Dënoj me ashpërsinë më të madhe këtë akt primitiv të ekipit serbomadh të Beogradit dhe kërkoj përjashtimin e tyre urgjent nga kampionati. Dënoj heshtjen e turpshme të vasalit të Aleksander Vuçiçit, Edi Rama” shkruan ai.
Por cfarë ndodhi?
FIFA ka hapur procedurën disiplinore ndaj Serbisë, pasi në dhomën e zhveshjes së tyre në Katar u shfaq një flamur me ngjyrat e këtij shteti, si dhe hartën e Republikës së Kosovës në të.
Në këtë flamur ishte një mbishkrim ku thuhej “Nuk dorëzohemi”. Flamuri i njëjtë u shfaq edhe nga tifozët në ndeshjen Brazil – Serbi.
FIFA ka njoftuar se ka marrë hapat e parë lidhur me këtë rast, pasi ka hapur procedurë disiplinore ndaj Federatës së Futbollit të Serbisë.
Shtëpia më e madhe e futbollit pritet që së shpejti të marrë një vendim përfundimtar lidhur me këtë rast.
Procedura disiplinore u hap në bazë të nenit 11 të Kodit Disiplinor të FIFA-s dhe nenit 4 të Rregullores për Kupën e Botës.
Federata e Futbollit e Serbisë nuk ka pranuar të japë ndonjë koment lidhur me shfaqen e flamurit skandaloz në dhomën e zhveshjes së përfaqësueses së tyre.