Një burrë me veshje ushtarake, me një kapelë “fantomë” në kokë dhe me shenja të forcave speciale, më 3 tetor u shfaq në Koloninë ndëshkuese me numër 29, në rajonin minerar rus të Kemerovës.
Gjatë inspektimit, atë mbrëmje, përpara disa qindra të burgosurve të rreshtuar në oborrin e burgut, një burrë i paidentifikuar bëri një ofertë: aplikoni “për një udhëtim në Ukrainë”.
Kështu ka rrëfyer një nga të burgosurit, përmes bisedës telefonike me Shërbimin rus të Radios Evropa e Lirë.
Rreth 200 persona shprehën interesimin e tyre, tha i burgosuri, i cili bëri një video të ngjarjes, por kërkoi të mos i përmendet emri, nga frika e ndëshkimit nga zyrtarët e burgut.
Por, deri në fund të muajit, megjithatë, interesimi ishte zbehur, tha i burgosuri. Pastaj u shfaqën rekrutuesit nga kompania famëkeqe mercenare Wagner.
“Ata i ndërprenë lidhjet më 26 tetor, siç bëjnë gjithmonë kur vijnë ‘wagneristët”, tha ai, duke aluduar në autoritetet e burgut.
“Pajisjet u rikonfiguruan, kështu që të gjithë mbetën pa asnjë komunikim gjatë atyre ditëve”.
“Dhe ata filluan të shfaqnin filma për Wagnerin”, tha i burgosuri dhe shtoi se një nga filmat ishte “Më i miri në ferr”.
Derisa lufta e Rusisë kundër Ukrainës po hyn në një fazë të re, të pasigurt, autoritetet në Moskë i janë drejtuar sistemit të gjerë të burgjeve të vendit për të plotësuar njësitë e rraskapitura, pas gati dhjetë muajsh në konfliktin e ashpër.
Mobilizimi i rezervistëve ushtarakë, i shpallur më 21 shtator, kishte për qëllim rekrutimin e 300.000 njerëzve, të cilët do të dërgoheshin për të luftuar ose për të mbështetur forcat në Ukrainë.
Besohet se mijëra prej tyre janë tashmë në disa pozicione të vijës së parë: në rajonin Herson, ku trupat ruse u detyruan në fillim të këtij muaji të tërhiqeshin të poshtëruara, si dhe në Donbas, ku luftimet po intensifikohen.
Nuk dihet se cilat janë në përgjithësi humbjet e forcave ruse që nga fillimi i pushtimit më 24 shkurt. Megjithatë, zyrtarët perëndimorë thonë se numri i ushtarëve të vrarë dhe të plagosur është ndërmjet 80 mijë dhe 90 mijë.
Përveç mobilizimit, zyrtarët u janë drejtuar metodave më pak tradicionale të rritjes së numrit të trupave. Ndër to janë edhe zhvendosja e kufirit të moshës dhe reduktimi i kërkesave të tjera fizike për ushtarët e mobilizuar rishtazi, si dhe rekrutimi i drejtpërdrejtë i vullnetarëve të rinj.
Të paktën, që nga korriku, kjo ka përfshirë kërkimin e rekrutëve në mesin e rreth 470.000 njerëzve në burgjet e Shërbimit federal ndëshkues – korrektues.
Në burgje fushata udhëhiqet nga Grupi Wagner (Wagner Group), kompani private në pronësi të biznesmenit që është i lidhur me Kremlinin, luftëtarët e të cilit, sipas burimeve të besueshme, janë të përfshirë në krime lufte në Siri, Libi dhe Republikën e Afrikës Qendrore.
Raportet se Wagner po rekruton të burgosur, u shfaqën për herë të parë gjatë kësaj vere, në zonën e Shën Petersburgut.
Themeluesi i Wagner-it, Yevgeny Prigozhin, i mohoi raportet dhe kërkoi që të fillonte një hetim penal kundër medias Fontanka, e cila raportoi së pari për të.
Rreth një muaji më pas, në një video që qarkulloi në Rusi, Prigozhin shihet duke folur me të burgosurit në burgun e rajonin të lumit Vollga, në Mari El. Prigozhin u premtoi të burgosurve lirim të parakohshëm nga burgu në këmbim të shërbimit të një turni luftarak gjashtëmujor në Ukrainë.
Gjatë dy muajve të ardhshëm, nga e gjithë Rusia dolën gjithnjë e më shumë raporte që dokumentonin se si të burgosurit hidheshin në luftime dhe, në disa raste, vdisnin në numër më të madh se forcat e rregullta ruse ose mercenarët e trajnuar profesionalisht.
Portali hulumtues Insajder ka kontrolluar njoftimet për vdekjet, të cilat drejtuesit e Wagner-it dërguan në shtator dhe tetor tek të afërmit dhe të mbijetuarit e të burgosurve që vdiqën duke luftuar në Ukrainë. Faqja e internetit liston më shumë se 500 njerëz të vrarë.
Në këta dy muaj, numri i përgjithshëm i burrave në burgjet ruse është reduktuar për 23.000, sipas portalit informativ Mediazona, i specializuar për çështjet e drejtësisë dhe burgjeve. Ky portal theksoi se një gjë e tillë nuk kishte ndodhur më herët dhe se me siguri është për shkak të numrit të të burgosurve që ka rekrutuar Wagner.
Olga Romanova, aktiviste që drejton organizatën për të drejtat e të burgosurve “Rusia prapa hekurave”, vlerësoi se deri në 50.000 të burgosur mund të jenë rekrutuar për të luftuar në Ukrainë.
Sipas aktivistëve për të drejtat e njeriut dhe sipas burimeve nga burgjet, rekrutuesit e Wagner-it, vetëm gjatë nëntorit ishin në të paktën gjashtë burgje në Siberi dhe në Lindjen e Largët. Për t’u rekrutuar aplikuan disa qindra të burgosur, kryesisht ata që vuanin dënime më të gjata në burgjet e sigurisë maksimale.
E pyetur nga gazetarët, në fillim të këtij muaji, në lidhje me aktivitetet e rekrutimit të Wagner-it, kompania e Prigozhinit publikoi një deklaratë, në të cilën ai u citua të krahasonte të burgosurit me pjesëtarët e elitës.
“Mendoj se të burgosurit e kanë nivelin më të lartë të vetëdijes, shumë më të lartë se elita ruse”, tha Prigozhin, më 11 nëntor, në një postim në Telegram. Ai ka kritikuar ashpër Ministrinë e Mbrojtjes dhe konsiderohet si kundërshtar i anëtarëve më liberalë të qarqeve qeverisëse.
“Për shkak se të burgosurit janë njerëz të zakonshëm, të cilët në ndonjë moment nuk ishin me fat në jetën e tyre – prandaj ata u përgjigjën në mënyrë kaq masive si vullnetarë”.
Në Koloninë ndëshkuese me numër 29 të Kemerovës, rreth 100 të burgosur përfundimisht pranuan ofertën e paraqitur nga një delegacion oficerësh të Wagner-it, tha i burgosuri për Shërbimin rus të Radios Evropa e Lirë.
Kushtet për angazhim: amnisti e plotë për krimet e kryera dhe një pagë mujore prej 100.000 rublash (1.585 euro), tha i burgosuri. Kjo është më shumë se paga mesatare në Kemerovë, një rajon industrial dhe i minierave në Siberi, kryesisht depresiv.
Ashtu siç u lehtësuan kërkesat fizike për ushtarët që nuk vijnë nga burgu, rekrutuesit e Wagner-it pranuan vullnetarë mbi moshën 50 vjeç, si dhe ata që vuanin nga HIV-i ose hepatiti.
Fushata e rekrutimit në burgje është e mbuluar kryesisht me fshehtësi dhe ka mërzitur të afërmit që kanë frikë se burrat ose djemtë e tyre në burg, nuk e kuptojnë plotësisht se për çfarë po pajtohen.
Në një objekt tjetër në rajonin e Kemerovës, Kolonia ndëshkuese me numër 37, disa të burgosur raportuan se ishin të lidhur për radiatorë të nxehtë, për orë të tëra, në mënyrë që ndaj tyre të bëhej presion që të paraqiteshin për t’u bashkuar me radhët e mercenarëve. Sipas përllogaritjeve të disa të afërmve, më shumë se 100 të burgosur u larguan nga ai burg në mes të nëntorit, për stërvitje para se të dërgoheshin në luftë.
“Ata që refuzuan janë kthyer sërish në burg, por janë rrahur rëndë, nuk mund të ecin vetë”, tha gruaja e një të burgosuri, e cila gjithashtu kërkoi të mos i publikohet emri.
“Nuk na lejojnë t’i shohim. Nuk po na lejojnë as të flasim me ta”.
Një grua tjetër, Ana, tha se më 5 nëntor humbi kontaktin me bashkëshortin e saj Artyomin, i cili gjithashtu po vuante dënimin në Koloninë 37. Ajo filloi t’u shkruante letra autoriteteve të burgut duke kërkuar përgjigje.
“Pastaj më thirri një burrë nga një numër i panjohur; ai tha se ishte shoku i dhomës i burrit tim në qeli. Ai tha se Artyom gjoja ishte detyruar të nënshkruajë një marrëveshje për të shkuar në luftë. E dërguan me avion ushtarak”, tha ajo.
“Më tha se ndaj Artyomit kanë përdorur shok elektrik dhe e kanë torturuar me ujë. E di që burri im nuk do të dilte kurrë vullnetar për diçka të tillë. I kanë mbetur edhe katër vjet! Çfarë lloj lufte është kjo?”
Në fillim të këtij muaji, portali rajonal i lajmeve Taiga.Info raportoi se të burgosurit në Koloninë ndëshkuese me numër 37, ishin rrahur dhe torturuar për t’i detyruar që t’i bashkohen Wagner-it.
Në tetor, ishte hera e fundit kur Svetlana nga qyteti siberian Krasnoyarsk, 600 kilometra në lindje të Kemerovës, e pa ose dëgjoi djalin e saj 38-vjeçar, i cili po vuan një dënim pesë-vjeçar për drogë në Koloninë ndëshkuese me numër 5, në periferi të qytetit.
Zakonisht, tha ajo, me djalin e saj ishin në kontakt të rregullt përmes mesazheve.
Svetlana, e cila kërkoi që mbiemri i saj të mos publikohej për arsye sigurie, më 9 nëntor, tha se ajo u takua me një drejtor burgu, i cili i tha asaj se djali i saj po dërgohej për të luftuar në Ukrainë dhe se ishte angazhuar nga Wagner-i.
Një ditë më pas, djali i saj telefonoi nga një numër i panjohur dhe konfirmoi se kishte aplikuar te Wagner. Ai u transferua në një objekt të ri pranë kufirit me Ukrainën.
Svetlana ishte e indinjuar.
“Mbi çfarë baze i lanë rekrutuesit në burg dhe u dhanë atyre qasje te të burgosurit? Sipas cilit ligj i lëshojnë të burgosurit? Kjo nuk është askund në ligj”, tha ajo për Shërbimin rus të Radios Evropa e Lirë.
“Pse nuk më informuan?”.
Një tjetër i burgosur në Koloninë ndëshkuese me numër 33, në rajonin bregdetar të Paqësorit, Primorje, tha se një numër i konsiderueshëm i të burgosurve u paraqitën të hynin në Wagner.
Në rajonin verior të Jakutias, aktivistët e të drejtave të njeriut thanë se rekrutuesit e Wagner-it, që nga 14 nëntori, kanë qenë në dy objekte të sigurisë maksimale në jug të kryeqytetit rajonal Jakutska.
Sipas një aktivisti jakutas, i cili foli në kushte anonimiteti, rreth 200 njerëz u regjistruan si vullnetarë. Aktivisti tha gjithashtu se disa të burgosur raportuan se kërcënoheshin me zgjatje të dënimit nëse refuzonin të paraqiteshin vullnetarisht.
Aksionet e rekrutimit nga Wagner-i hasën në rezistencë, në të paktën një institucion. Të afërmit e të burgosurve në Koloninë ndëshkuese me numër 14, në rajonin siberian të Novosibirsk, më 3 nëntor, organizuan një protestë të vogël përpara institucionit, duke kërkuar qasje te të burgosurit që kishin pranuan t’i bashkoheshin Wagner-it./ REL