Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka komentuar të mërkurën dorëheqjet e serbëve nga institucionet e Kosovës.
Ai është shprehur se vakumet duhet mbushur me aplikime të reja për punë.
Qindra serbë të Kosovës nga katër komunat veriore të vendit, që nga fillimi i nëntorit kanë dhënë dorëheqje nga disa institucione të Kosovës, përfshirë Policinë, Gjyqësorin, si dhe në nivel politik në komuna dhe në Kuvendin e Kosovës.
Dorëheqjet u bënë në shenjë kundërshtimi ndaj vendimit të Qeverisë së Kosovës që kërkonte riregjistrimin e targave të veturave që lëshohen nga Serbia me akronime të qyteteve të Kosovës në RKS.
Kryeministri Kurti, i thirrur në një interpelancë në Kuvendin e Kosovës, i quajti dorëheqjet vendim politik.
Duke folur specifikisht për dorëheqjet e 578 zyrtarëve policorë që vijnë nga komuniteti serb në Kosovë, ai tha se dorëheqjet janë bërë “për arsye të paqena”.
“Thoshin morale e individuale e teksti i njëjtë për secilin prej tyre”, tha Kurti duke komentuar tekstin, me të cilin kanë dhënë dorëheqje këta zyrtarë./REL