Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka thënë të mërkurën se Serbia ka krijuar krizë në javët e fundit, në mënyrë që të mos diskutohet marrëveshja finale mes Kosovës dhe Serbisë.
Ajo i ka bërë këto deklarata në një konferencë të përbashkët për media me presidentin bullgar, Ruman Radev në Sofje.
“Është koha që ndërmjetësuesit e dialogut, Bashkimi Evropian, ta kuptojnë se Serbia ka përdorur taktikën e pengimit, përmes pjesëmarrjes”.
Sipas Osmanit, pala serbe diskuton në tavolinë me kushtëzime dhe pengesa.
“Kjo është mënyra se si ata tentojnë të bllokojnë perspektivën e Kosovës në rajon dhe në nivel ndërkombëtar. Natyrisht, është në interesin tonë që ta përmbyllim këtë dialog me një marrëveshje ligjërisht të zbatueshme dhe duhet ta kuptojmë se pala që është në anën tjetër të tavolinës, nuk është e interesuar që ta përmbyllë këtë proces me sukses”.
Presidentja e Kosovës ka thënë se Serbia ka nisur të prodhojë kriza prej kur Bashkimi Evropian, i mbështetur nga Shtetet e Bashkuara, Franca dhe Gjermania, e ka bërë propozimin muaj më parë për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve mes dy vendeve.
Ky plan, i njohur për publikun si franko-gjerman parasheh disa hapa që çojnë në zgjidhjen e problemeve mes Kosovës dhe Serbisë.
“Interesi ynë është i kundërt, pra që diskutimet të nisin sa më parë që është e mundur”, ka thënë Osmani, duke shtuar se shpreson që BE-ja t’i dërgojë mesazh Serbisë se nuk mund të bllokojë më procesin.
Ekzistenca e propozimit të BE-së është konfirmuar edhe nga liderët e Kosovës, edhe nga ata të Serbisë./REL