Dy persona në Gjermani kanë rënë në prangat e policisë, lidhur me vrasjen e 42-vjeçarit shqiptar, Mario Muka, pak ditë më parë.
Lajmin e kanë bërë të ditur mediat e huaja, të cilat raportojnë se të dy të arrestuarit janë shtetas shqiptarë, përkatësisht 20 dhe 26 vjeç, të dy emra të njohur për policinë për lidhje me trafikun e drogës.
“Fillimisht arrestimi i tyre është bërë për një arsye që nuk kishte lidhje me vrasjen, por se pas arrestimit u bë lidhja e tyre me ngjarjen dhe tani akuzohen për vrasje”, tha një zëdhënëse e policisë.
Ndalimi i dy shqiptarëve është bërë fillimisht për një kontroll rutinor nëse ishin personat e shpallur në kërkim për një krim tjetër, por më pas u shtuan dyshimet dhe tani të rinjtë akuzohen për vrasjen e 42-vjeçarit.
Kujtojmë se vrasja e 42-vjeçarit shqiptar Mario Muka në Gjermani pak ditë më parë, tronditi opinioni publik, për vetë mënyrën se si ajo u realizua.
Viktima, i cili ishte një biznesmen nga Shijaku, humbi jetën pasi u qëllua me dy plumba në kokë, nga autorët që kishin ardhur me një automjet ngjyrë blu në vendngjarje.