Ajo që paralajmëroi Sali Berisha dje është zyrtarizuar sot, një ditë përpara zhvillimit të “Primareve” në Kurbin.
Dy kandidatët Alfred Dajçi dhe Edmond Shkoza janë përjashtuar nga procesi për shkak të incidentit që ndodhi pak ditë më parë që përfundoi me plumba.
Si ndodhi ngjarja?
Van Rica, i cili mbështeste kandidatin Edmond Shkozën, kishte kërkuar anëtarësimin e disa simpatizantëve.
Kërkesa e 53-vjeçarit është kundërshtuar nga nënkryetari i degës së Partisë Demokratike Kastriot Marku me pretendimin se kishte përfunduar afati i anëtarësimeve.
Në debat e sipër, Van Rica ka qëlluar në drejtim të Markut, por fatmirësisht nuk e kapën plumbat.
Ky ishte versioni i parë i ngjarjes. Por Marku tha për “5pyetjet.al” se Rica nuk ka pasur konflikt me të, por ishte i pirë dhe i është kërkuar që të dilte nga mbledhja e Kryesisë.
Van Rica u arrestua të nesërmen dhe më pas gjykata vendosi hetimin në gjendje të lirë.