Kur kanë mbetur edhe dy javë nga mbajtja e zgjedhjeve të jashtëzakonshme në katër komunat veriore të Kosovës, kandidati i vetëm serb në këto zgjedhje është tërhequr nga gara.
Aleksandër Arsenijeviq i cili ishte kandidat për kryetar të Mitrovicës së Veriut, është tërhequr nga gara, tri ditë më parë.
Lajmin për Telegrafin e ka konfirmuar zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi.
“Mund t’ua konfirmoj se më 2 dhjetor 2022, brenda afatit ligjor të vendosur nga KQZ-ja për tërheqjen e subjekteve politike, kemi pranuar njoftimin për tërheqjen e kandidatit të Iniciativës Qytetare “Srpski Opstanak”, Aleksandar Arsenijevic, nga gara për kryetar komune në Mitrovicën e Veriut”, ka thënë Elezi.
Elezi ka shtuar se në arsyetimin me shkrim që kanë pranuar, ai ka tërhequr kandidaturën e tij me vullnet të lirë.
Zgjedhjet në komunat e veriut do të mbahen më 18 dhjetor.
Përfaqësuesit e serbëve në Kosovë kanë marrë vendim që të braktisen institucionet e Kosovës nga përfaqësuesit serbë të tyre.
Ky vendim është marrë pas suspendimit të Drejtorit të Policisë rajonale në veri, Nenad Gjuriq.