Kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla, priti sot në Kryesinë e Kuvendit Kryeministrin e Greqisë, z. Kyriakos Mitsotakis, i cili ndodhet në Tiranë për të marrë pjesë në Samitin Bashkimi Evropian-Ballkani Perëndimor.
Në takim ishte i pranishëm edhe Ministri i Punëve të Jashtme të Greqisë, z. Nikos Dendias, Ambasadorja e Greqisë në Tiranë, znj. Konstantina Kamitsi, dhe zyrtarë të tjerë të lartë të qeverisë së Greqisë.
Kryetarja Nikolla e falenderoi Kryeministrin Mitsotakis për vizitën e tij të parë në Tiranë dhe pjesëmarrjen në Samitin historik Bashkimi Evropian-Ballkani Perëndimor. “Samiti është një gur kilometrik në procesin e integrimit evropian të Shqipërisë dhe rajonit; një rast për BE-në që tregoi se politika e zgjerimit është e pakthyeshme; një mundësi për vendet e Ballkanit Perëndimor të dëshmojnë se BE është destinacioni i vetëm i përbashkët për rajonin; një shans i merituar për Shqipërinë të rikonfirmojë identitetin dhe vizionin evropian dhe udhëheqësit evropianë të shohin nga afër reformat dhe arritjet tashmë të identifikuara integruese. ”, nëvizoi Kryetarja e Kuvendit, znj. Lindita Nikolla.
Kryeministri i Greqisë, z. Kyriakos Mitsotakis, falenderoi Kryetaren Nikolla për pritjen e ngrohtë dhe vuri në dukje se Samiti Bashkimi Evropian-Ballkani Perëndimor ishte shumë i suksesshëm dhe udhëheqësit evropianë panë nga afër arritjet e padiskutueshme të Shqipërisë në rrugën e integrimit evropian. Greqia ka mbështetur dhe do të vazhdojë të mbështesë pa ekuivoke integrimin evropian të Shqipërisë dhe Ballkanit Perëndimor. Midis dy vendeve tona ka lidhje shumë të fuqishme dhe shumë të ngushta dhe këto lidhje i mbështesin edhe minoriteti grek në Shqipëri dhe emigrantët shqiptarë në Greqi, të cilët përbëjnë një histori suksesi. Greqia është e interesuar për intensifikimin e bashkëpunimit ekonomik dhe rritjen e investimeve në Shqipëri, në sektorët e energjisë, bujqësisë etj. Jemi gjithashtu të gatshëm të ndihmojmë Kuvendin dhe Qeverinë me asistencë teknike për zhvillimin e negociatave.