Ish-kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka udhëtuar në SHBA.
“Takim shumë i frytshëm me Presidentin e Institutit Ndërkombëtar Republikan Daniel Twining në selinë e IRI në Washington.
Diskutuam gjerësisht mbi situatën në Shqipëri, domosdoshmërinë e forcimit të demokracisë, shtetit të së drejtës, luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit.
Ramë dakort për intensifikimin e bashkëpunimit në mënyrë që vlerat Euro-Atlantike të jenë udhërrëfyes për ndërtimin e një qeverisje dhe shteti në shërbim të qytetarëve dhe jo një grupi individësh” shkruan Basha.
Kjo është hera e dytë që kalon Oqeanin brenda pak muajsh, pasi Sali Berisha e akuzonte pak kohë më parë Bashën se nuk shkon dot në SHBA për shkak të hetimit për dosjen e lobimit.
Në disa dalje të tij televizive dhe jo vetëm, Berisha ka pretenduar se ndër vite Basha anuloi një sërë udhëtimesh të planifikuara për në Shtetet e Bashkuara.
Disa muaj më parë “Zëri i Amerikës” publikoi detaje nga një vlerësim i inteligjencës amerikane se Rusia ka paguar mbi 300 milionë dollarë për të ndikuar tek politikanët në më shumë se 24 vende.
Një burim nga administrata amerikane pretendonte se Rusia i ka paguar 500,000 dollarë Partisë Demokratike për të ndihmuar në fitoren e zgjedhjeve të përgjithshme të 2017-ës, teksa asokohe drejtohej nga Lulzim Basha.