I dërguari i Posaçëm i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, do të vizitojë Prishtinën të hënën e ardhshme, për t’u takuar me kryeministrin Albin Kurti. Vizita e Escobar, vjen menjëherë pas asaj të të dërguarit të BE-së, për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçk, i cili qëndroi në Prishtinë dhe Beograd, ku takoi krerët e të dy shteteve.
Lajçak tha se gjatë takimit të tij me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, është ripërsëritur thirrja për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet dy shteteve fqinje. Ai ka deklaruar se janë duke punuar për çështjen e normalizimit të raporteve, teksa shtoi se “nuk ka më kohë për të humbur”.
Në samitin europian të mbajtur një ditë më parë në Tiranë kryediplomati i BE-së, Josep Borell, konfirmoi se Bashkimi Evropian ka dorëzuar në Kosovë e Serbi versionin e fundit të propozimit më të ri franko-gjerman në tavolinën e dialogut dhe u ka bërë thirrje palëve që të angazhohen maksimalisht, pasi kjo është një mundësi e madhe për ta.