Parkimi është një mision i vështirë në Tiranë. Por edhe kosto për të lënë makinën një apo disa orë sa vjen e rritet. Teksa parashikohet që vitet e ardhshme shuma totale e paguar të luhatet në rreth 5 milionë euro.
Sipas të dhënave të Bashkisë së Tiranës, në vitin 2022, të ardhurat e pritshme nga parkimi pritet të jenë gati 500 milionë lekë, nga 575 milionë lekë që ishte plani fillestar. Arkëtimet e Bashkisë nga parkimi i automjeteve përbëjnë rreth 4% të të ardhurave që Tirana siguron nga taksat dhe tarifat.
Bashkia pret që të mbledhë më shumë të ardhura nga tarifa e parkimit. Në 2023-n, përdoruesit e automjeteve pritet të paguajnë 602 milionë lekë (5.2 milionë euro). Në dy vitet në vijim të ardhurat e Bashkisë nga parkimi pritet të rriten më tej, në përkatësisht 623 milionë lekë në 2024-n dhe 647 milionë lekë në 2025-n.
Sipas relacionit të projektbuxhetit 2023-2025 të Bashkisë Tiranë, parashikimi i të ardhurave të realizuara nga tarifat e parkimit nga Tirana Parking për vitet 2023-2025 për parkimin në rrugë është bërë duke marrë parasysh kapacitetet e rrugëve me tarifim të cilat nga numërimi i fundit faktik në terren rezultojnë të jenë:
Zona A – 39 rrugë me 1111 vende me pagesë. Zona B – 26 rrugë me 1,081 vende me pagesë dhe zona C – 9 rrugë me 375 vende me pagesë
Parashikimi i të ardhurave të realizuara nga tarifat e parkimit nga Tirana Parking për vitet 2023-2025 për parkimin në sheshe është bërë duke marrë parasysh kapacitetet e tyre që rezultojnë të jenë:
Zona A – 8 sheshe me 922 vende parkimi. Zona B – 5 sheshe me 600 vende parkimi dhe zona C – 1 sheshe me 108 vende parkimi. /monitor
