Në një përgjigje të zyrës së presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani thuhet se në rast që ka një kërkesë për shtyrjen e zgjedhjeve, ajo do të këshillohet me subjektet politike dhe më pas do ta marrë vendimin.
Qeveria e Kosovës tha se mbajtja e zgjedhjeve është detyrim kushtetues ndërsa theksoi se është në pritje të vlerësimit të situatës në veri nga organet e sigurisë për veprimet e mëtejshme.
Incidentet e djeshme në komunën e Mitrovicës së Veriut dhe Zubin Potokut në veriun e banuar me shumicë serbe ndodhën ndërsa policia po i shoqëronte zyrtarët e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në procesin e hapjes së Komisioneve komunale për zgjedhjet për kryetarë të katër komunave që janë caktuar për datën 18 dhjetor.
Grupe qytetarësh serbë penguan hapjen e zyrave të Komisioneve komunale të zgjedhjeve ndërsa policia njoftoi për të shtëna e shpërthime, por pa dëme në njerëz.
Incidentet nxitën shqetësimin për rrezikun e përshkallëzimit të situatës në zonë. Ambasadori amerikan në Prishtinë, Jeff Hovenier, tha se “përdorimi i dhunës dhe i frikësimit, duke përfshirë përdorimin e një mjeti shpërthyes dhe rrezikimi i jetëve nuk është kurrë një metodë e përshtatshme proteste, në asnjë rrethanë”.
Në një postim në rrjetet sociale ai shkroi se Shtetet e Bashkuara “janë të shqetësuara se nuk janë krijuar kushtet për momentin që zgjedhjet të mbahen më vonë gjatë këtij muaji në veriun e Kosovës”, ndërsa nënvizoi se siguria e të gjithë qytetarëve duhet të jetë përparësi.
Shefi i misionit të EULEX-it në Kosovë, Lars-Gunnar Wigemark tha se “çfarëdo proteste duhet të jetë paqësore dhe të gjithë duhet të ruajnë qetësinë dhe të tregohen të përmbajtur”, ndërsa nënvizoi se misioni i tij do të vëzhgojë situatën në bashkërendim të ngushtë me policinë e Kosovës dhe KFOR-in. /VOA